Filarmonia e Kosovës ka mbajtur konferencë në lidhje me koncertin e radhës që është në varg të aktiviteteve të përvjetorit të 15-të të themelimit të Korit të Filharmonisë së Kosovës.
Drejtori i Filharmonisë, Baki Jashari tha se koncerti që do të mbahet ditën e nesërme do të jetë një koncert premierë, në të cilin do të interpretohen vepra që nuk janë interpretuar më parë, raporton Ekonomia Online.
“Bëhet fjalë për koncertin e korit të Filharmonisë, i cili koncert është planifiku më parë. Me këtë rast kori i Filharmonisë do të prezantohet me një varg veprash vokale por edhe disa vepra vokalo-instrumentale. Pra është komplet një koncert premierë me vepra të cilat nuk janë interpretu më parë.
Në program do të jenë veprat e disa kompozitorëve barokienë dhe të renesancës por kemi edhe autorë kosovarë siç është Hajrullah Syla me këngën e Rexhës.”
Jashari ka bërë gjithashtu të ditur se gjatë muajit maj kori do të mbajë një koncert në Londër, në vendin në të cilin vepron edhe dirigjenti i njohur brazilian, i cili do ta dirigjojë koncertin e nesërm.
I lumtur dhe mjaft entuziast për koncertin e nesërm është edhe vetë dirigjenti brazilian Marcio Da Silvia.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu për herë të tretë. Ky është një ndër bashkëpunimet e pakta që unë bëj jashtë, por është gjithmonë kënaqësi e madhe që të jesh këtu e të punosh me njerëz entuziastë.
Kësaj here më është dashur t’i sjell dhe fëmijët e mi këtu, që ka qenë goxha e veçantë. Kjo është gjithashtu e veçantë për mua… Ky koncert do të jetë një ndër koncertet më të mëdha klasikë.”
Energjia me të cilën kanë punuar me dirigjentin gjatë provave, sopranoja Adelina Paloja shpreson se do të rezultohet edhe në koncert.
“Është kënaqësi sepse me Marcion është hera e dytë që bashkëpunojmë dhe njihet për atë që e liron një energji jashtëzakonisht të madhe gjatë provave.”
Koncerti i Korit të Filharmonisë së Kosovës do të mbahet nesër me fillim nga ora 20:00 në kishën “Shën Ndou”.