Për 4 muaj, 104 mjekë lëshuan Kosovën

Prishtinë | 19 Maj 2023 | 07:45 | Nga Ekonomia Online

Ikja e qytetarëve në vendet evropiane është shumë shqetësuese, sepse pjesa më e madhe e personave që po largohen nga Kosova janë profesionistë. Kështu ka thënë Enver Haliti nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai tha se duhet të merret parasysh se sa shumë mund dhe investim duhet, që të prodhohet një kuadër i tillë. “Ndërsa po ua ofrojmë të gatshëm shteteve të zhvilluara”, tha ai.

Kurse Pleurat Sejdiu tha se shifrat e fundit flasin se janë 104 mjekë të cilët kanë marrë dokumentacionin për të lidhur kontratë në shtetet e Bashkimit Evropian.

Ai tha se kjo shifër e tejkalon shifrën e vitit të kaluar.

“Në vitin e kaluar kemi pasur 212 për 11 muaj, kurse këtë vit për katër muaj e gjysmë janë 104 dhe është për t’u shqetësuar”, tha Sejdiu.

Ai shtoi se kriza do të ndjehet dhe do të thellohet pas tri viteve në sektorin e shëndetësisë.

Ndërsa Lulzim Rafuna nga Oda Ekonomike e Kosovës tha se biznesi është duke u përballë me mungesën e fuqisë punëtore si rezultat i migrimit.

Por ai tha se kjo po ndodhë edhe si rrjedhojë e mos lidhjes së arsimit me kërkesat e tregut.

“Ne kemi bërë thirrje prej ditës së parë që të shpejtohet reforma në arsim, që të lidhen kualifikimet me kërkesat e tregut të punës”, tha Rafuna.

EJusuf Azemi nga sindikata e sektorit privat tha se për 7-8 vite jashtë vendit ka ikur një e pesta e popullsisë.

Azemi shtoi se injorimi më i madh i punëtorëve të sektorit privat të Kosovës është bërë n’kohën e pandemisë dhe pas pandemisë, sepse doli qeveria e Kosovës me luftimin e inflacionit duke i stimuluar të gjithë punëtorët e sektorit publikë kurse sektorit privat iu tha “dil qiteni dorën dhe lypeni pronarëve të kompanisë, nëse iu jep ai ju jap edhe unë”, u shpreh Azemi.

Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve, tha se janë para një situate mjaftë shqetësuese sepse sipas statistikave kemi 1323 biznese më pak dhe 22332 punëtorë më shumë dhe nuk është projeksion real.

“Në aspektin pozitiv ka rritje të formalitetit, por nuk do të thotë që kjo reflektohet me rritje të punësimit, sepse ne po shohim se bizneset dita ditës po përballen me sfida të tilla që po edhe e transformojnë ndoshta edhe shërbimin ë tyre, në mënyrë që të jetojnë dhe të mund të koabitojnë në këtë ekosistemin e ri i cili është krijuar duke u kthyer edhe nga aspekti i shërbimit në vetëshërbim”, tha Vranica

Të ngjashme