Për 8 muaj në Shqipëri hynë 5.6 milionë turistë, prijnë kosovarët me 43.2 për qind

Prishtinë | 11 Tet 2022 | 10:30 | Nga Ekonomia Online

Pandemia në mënyrë të pashmangshme, të paktën për dy vite, ka pasur ndikim thelbësor në shumë sektorë, dhe veçanërisht te ai i turizmit. Ky vit ndërkohë ka risjellë jo vetëm normalitetin, por ka kaluar edhe nivelet e para pandemisë.

Në 8 muajt e parë të vitit, në Shqipëri kanë hyrë rreth 5.6 milionë turistë të huaj, bazuar në shifrat zyrtare, që është edhe niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë, pra edhe përtej vitit 2019-të.

“Scan Intel” ndërkohë ka siguruar disa të dhëna shtesë nga Instituti i Statistikave në lidhje me origjinën e turistëve të huaj në Shqipëri këtë vit, për të kuptuar jo vetëm se nga kanë ardhur turistët, por edhe për të bërë një krahasim kronologjik me vitet e mëparshme.

Në vend të parë qëndrojnë ashtu si edhe vitet e kaluara shtetasit nga Kosova, me rreth 2.44 milionë hyrje, ose 43.2% të totalit. Në vend të dytë, me rreth 443 mijë turistë qëndron Maqedonia e Veriut, që përfaqëson 7.8% të hyrjeve. Ndjek Italia me 418 mijë turistë, ose 7.4% të totalit. Rreth 340 mijë janë kombësi të tjera, ose 6.1%. Ndjek më pas Greqia, me 306 mijë turistë të huaj, ose 5.4%, Mali i Zi me 271 mijë, ose 4.8%. Në vend të 7-të, me 3.4% të totalit, ose 194 mijë hyrje pozicionohen ato “konfidenciale”. Ndjek më tej Polonia me 136 mijë, ose 2.4%, Gjermania me 133 mijë, ose 2.4%, Anglia me 116 mijë dhe 2.1% të totalit. Siç e shohim nga këto të dhëna, një pjesë e madhe e këtyre vendeve kanë një përqëndrim të madh të emigrantëve shqiptarë, sidomos Greqia, Italia, Gjermania dhe Anglia, çka sinjalizon se një pjesë e konsiderueshme ndër këta turistë janë shqiptarë nga emigracioni. Në total, “Top 10” vendet e para të origjinës, përfaqësojnë plot 86.1% të totalit të turistëve në vend.

Por, çfarë thonë shifrat krahasuar me një vit më parë, apo krahasuar edhe me periudhën para pandemisë? Nga të dhënat e analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel” rezulton se, dy vendet e para të listës, Maqedonia e Veriut dhe Kosova mbeten të pandryshuara në renditje. Shtetasit nga Kosova kanë regjistruiar një rekord të ri historik në terma absolut, me 2.44 milionë turistë këtë vit, nga 2.17 milionë gjatë vitit të kaluar, apo 1.83 milionë gjatë vitit 2019-të. Këtë tregojnë të paktën shifrat zyrtare, ndërkohë që duhet theksuar se veçoria e këtij sezoni veror ka qenë edhe “eleminimi” i kufirit Shqipëri-Kosovë çka sjell pikëpyetje të mëdha në lidhje me regjistrimin e hyrjeve dhe daljeve të shtetasve nga Kosova. Nga ana tjetër, në vend të tretë shohim të jetë ngjitur Italia, që përfaqëson 7.6% të turistëve këtë vit, nga 5.5% një vit më parë. Turistët nga Greqia ndërkohë kanë “parakaluar’ ata nga Mali i Zi. Polonia mban pozita të ngjashme me një vit më parë sa i përket shteteve, pra duke përjashtuar “të tjerë” dhe “konfidenciale”, njësoj si Gjermania. Hyrja e re e vetme në “Top 10” këtë vit duket të jetë Anglia, me 116 mijë turistë, ose 2.1% të totalit. Në krahun e kundërt ndërkohë shohim se Serbia ka dalë nga “Top 10”, dhe pozicionohet në vendin e 12-të këtë vit. Vjet, për 8 muajt e parë të vitit Serbia numëronte rreth 80 mijë turistë në vendin tonë, ose 1.8% të totalit, ndërkohë që këtë vit raportohen vetëm rreth 65 mijë turistë, ose 1.2% e totalit. Sa i përket vendeve që ndjekin më tej në renditje shohim se ndër tregjet që ka humbur më së shumti Shqipëria këtë vit është ai i Ukrainës, rrjedhojë e pashmangshme e luftës. Bëhet fjalë për rreth 27 mijë hyrje nga Ukraina këtë vit në Shqipëri, ose rreth 30 mijë më pak se vjet. Hyrjet nga Rusia janë rritur këtë vit, me rreth 2 mijë më shumë, por pavarësisht kësaj, Rusia ka humbur pozita në gjeografinë e turistëve në vendin tonë.

Ndërkohë, nëse tabelën e hyrjeve të turistëve në vendin tonë këtë vit për 8 muajt e parë të vitit e krahasojmë me atë të vitit 2019-të, pra para pandemisë, shohim shumë pak ndryshime. Në përbërje tabela mbetet thuajse e njëjtë, me shumë pak ndryshime në renditje, apo peshën e secilit shtet. I vetmi ndryshim duket të jetë zhvlerësimi i Greqisë në renditje, me 2 pozicione. Sakaq shohim se edhe turistë nga vende si Holanda, janë rritur ndjeshëm këtë vit, krahasuar me një vit më parë apo edhe me periudhën para pandemisë, që duket të jetë edhe rrjedhojë e ndeshjes së luajtur në pranverë në Tiranë, mes Romës dhe Feynoord. Ndër shtetet e tjera që bie në sy një rritje e konsiderueshme e turistëve dhe pozicionimit në renditje është edhe Spanja, me rreth 31 mijë hyrje këtë vit, apo Arabia Saudite me rreth 20 mijë turistë.

Ashtu siç e cekëm edhe më lartë, këtë vit janë një numër i konsiderueshëm hyrjesh konfidenciale në statistikat e turistëve në vendin tonë. Bëhet fjalë për thuajse 200 mijë të huaj, 194 mijë për të qenë më të saktë, çka përben 3.4% të totalit të atyre që kanë hyrë në Shqipëri këtë vit në 8 muajt e parë. Nëse këtyre do t`i shtojmë edhe ata që rezultojnë si “të tjerë” atëherë mund të themi se 537 mijë turistë janë “anonim” për publikun. Ata që rezultojnë si konfidencialë, kryesisht vijnë nga vendet afrikane dhe të Amerikës qendrore dhe jugore, por nuk mund të themi të saktë numrin sipas shteteve dhe muajve, për shkak të kuadrit ligjor të statistikave, nenit 31 të ligjit për “Statistikat zyrtare”.

Nga ana tjetër, në pandemi u vu e një centralizim i lartë i turistëve në një grusht shtetesh, ku 10 vendet e para të origjinës, përbënin thuajse 90% të totalit të hyrjeve, ndërkohë që këtë vit kjo normë ka zbritur pranë rreth 85%, nga 83% që ishte në vitin 2019-të.

Pra, në tërësi, shifrat na tregojnë se, ky vit i është rikthyer niveleve të para pandemisë, jo vetëm sa i përket shifrës totale, por sidomos sa i përket gjeografisë dhe strukturës së turizmit në vendin tonë, përtej pikëpyetjeve mbi statistikat.

Të ngjashme