63 mijë euro është vlera e gjobave në dy muajt e fundit të shqiptuara nga Agjencia për Informim dhe Privatësi. Gjoba kanë pësuar dy komuna dhe dy ndërmarrje publike për publikim të të dhënave personale si dhe për mohim në qasjen e dokumenteve publike. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, Komisionerja e AIP-it, Krenare Sogojeva-Dërmaku.
Ajo ka thënë se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë parashtruar 393 ankesa, ku 63 prej tyre kanë qenë për mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa 330 ankesa janë parashtruar për mohimin e qasjes në dokumente publike.
Ndonëse kërkesat kanë qenë të shumta, Sogojeva-Dermaku ka thënë se në 80 për qind të rasteve, qytetarit u është ofruar qasja në dokumente publike pa pasur nevojë për shqiptimin e gjobave apo nxjerrjen e vendimeve.
“Në AIP në sektorin edhe të mbrojtjes së të dhënave personale edhe të qasjes në dokumente publike për gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë parashtruar gjithsej 393 ankesa, 63 prej tyre janë për mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa 330 ankesa janë parashtruar për mohimin e qasjes në dokumente publike. Si një problematik e vazhdueshme që po e sfidon edhe qytetarin edhe institucionin ton me një numër në rritje të ankesave të qytetarëve për mos ofrimin e qasjes në dokumente publike nga ana e institucioneve, agjencia ka vazhduar ti trajtoj, ka pasur diku 97 ankesa të bartura nga viti i kaluar mbetemi me një staf të kufizuar ne trajtimin e ankesave. Por gjithsesi ajo që është shumë me rendësi me përmend se në 80 për qind të rasteve qytetarit ju është ofruar qasja në dokumente publike pa pasur nevojë për shqiptimin e gjobave apo nxjerrjen e vendimeve nga ana e jonë”, ka thënë Sogojeva-Dërmaku.
Sogojeva-Dërmaku ka thënë se për mohim e qasjen në dokumente publikë edhe këtë vit është gjobitur me tre mijë euro Komuna e Fushë-Kosovës.
“Ne kemi një gjobë të shqiptuar për mohimin e qasjes në dokumentet publike, që është edhe për komunën e Fushë Kosovës, që në vazhdimësi është gjobitur për shkak të mos ofrimit të qasjes. Ajo çka dua të theksoj që kjo komunë është duke u gjobitur për shkak se nuk ofrohet qasje një ose dy personave, që në vazhdimësi kërkojnë edhe e shfrytëzojnë këtë të drejtën e tyre për të kërkuar qasje në dokumente publike”, ka thënë ajo.
Komisioneria e AIP ka thënë se në dy muajt e fundit janë shqiptuar edhe tri gjoba, dy ndaj ndërmarrjeve publike KESCO dhe ujësjellësit KRU “Prishtina”, me nga 20 mijë euro secila, për shpërndarjen e faturave pa zarfe si dhe me 20 mijë euro është gjobitur Komuna e Gjakovës për publikimin e disa listave të qytetareve me të dhënat e tyre personale.
“Në këtë dy mujor kemi shqiptuar tri gjoba, dy ndaj ndërmarrjeve publike, dhe një ndaj një komune në total shuma e këtyre gjobave është 60 mijë euro. Agjencia shkon me standardin e njëjtë me 20 mijë euro që është gjoba e parë e pastaj nëse përsëritet shkelja e njëjtë normalisht që gjoba shkon në rritje dhe dihet që gjobat që i lejon ligji për të dhënat personale janë dy deri në 4 për qind të qarkullimit dhjetor”, ka thënë ajo, teksa ka treguar se gjobë kanë shqiptuar edhe ndaj Komunës së Gjakovës për publikimin e disa listave të qytetareve me sëmundje të ndryshme”.
“Ndërsa tek mbrojtja e të dhënave personale për gjashtë mujorin e parë ne nuk kemi pasur gjoba, por në këto dy muajt e fundit kemi shqiptuara gjoba një për Komunën e Gjakovës, që ka qenë publikimi i listave të qytetarëve me sëmundje të ndryshme, ndër këto të dhëna të qytetarëve ka pasur edhe të dhëna të fëmijëve. Po ashtu kemi dy gjoba të shqiptuara, një është për KESCO dhe tjetra është për ujësjellësin. Njoftojmë gjithë qytetarët se arsyeja pse ne kemi gjobitur këto dy ndërmarrje është se nga shkurti i këtij viti ne kemi filluar takimet me ta, kemi bërë thirrje që t’i plotësojnë kërkesat e ligjit të mbrojtjes së të dhënave personale. Ju kemi dërguar menjëherë shkresë dhe ju kemi caktuar një afat brenda të cilit ata kanë pasur mundësi që të përgatiten që t’i sigurojnë që të dhënat personale të mos bien ne duar të personave të pa autorizuar, data ka qenë deri me 30 qershor, përkundër kësaj kanë vazhduar në disa vende të shpërndaj përsëri fatura pa zarfe, apo t’i lënë faturat para hyrjes së shtëpisë”, ka thënë ajo.
Ajo ka theksuar për ta është shqetësuese edhe rritja e numrit të ankesave nga qytetarët nga marketingu i drejtpërdrejtë.
“Ne në fakt në gjashtë mujorin e parë të këtij viti sipas statistikave që i kemi, kemi diku 24 ankesa që janë për vendosjen e kamerave pa kritere ligjore, kemi 18 ankesa që i kemi pranuar për marketing të drejtpërdrejt. Edhe kemi 14 ankesa të tjera për publikim të të dhënave personale të individëve edhe kemi 3 ankesa për keq përdorim të të dhënave dhe një ankesë për mos vendosjen e masave të sigurisë. Numri i ankesave është në rritje edhe të mbrojtja, marketingu i drejtpërdrejta vazhdon që të mbetet një shqetësim i qytetareve, është me të vërtet shqetësuese edhe për ne pasi ka tre vite që në vazhdimësi e promovojmë të drejtën e qytetarit që të mos shqetësohet me mesazhet apo me telefonatat për marketing të drejtpërdrejt”, ka thënë ajo për EO.