Për dy vjet, u dhanë 2 milionë euro për fermerët

Prishtinë | 01 Nën 2018 | 11:55 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është hapur panairi treditor i prodhimeve vendore bujqësore me moton “Mendo për nesër, blej prodhime vendore”, në sheshin “Zahir Pajaziti.

Nënkryetari i komunës së Prishtinës , Selim Pacolli, ka thënë se komuna i përkrahë të gjithë fermerët dhe iniciativat që ofrojnë mundësi zhvillimi të sektorit të bujqësisë dhe turizimit rural.

“Po e hapim duke pas parasysh se komuna e Prishtinës është duke punuar në përkrahje të të gjithë fermerëve. Jemi përkrahës të të gjitha iniciativa të tilla që ofrojnë mundësi zhvillimi të sektorit të bujqësisë dhe turizmit rural. I inkurajoj fermerët që të zhvillojnë veprimtarinë e tyre dhe iu premtoj se do ti mbështesim në çdo kërkesë të tyre”, ka thënë Pacolli, raporton Ekonomia Online.

Arsim Aziri, nga Agjencioni austriak për zhvillim, ka thënë se për qeverinë austriake, zhvillimi ekonomik në zona rurale është prioritet .

Ai ka treguar se tri projekte janë duke u financuar nga qeveria austriake.

“Gjatë këtij bashkëpunimi dy vjeçar afër 2 milionë euro janë dhënë për përkrahje të fermerëve në të gjithë sektorët e bujqësisë”, ka thënë ai.

Remzi Makolli, drejtues i dyqanit ‘Fresh Produkt’ ka thënë se sot prezanton produktet me gjysmë çmimi. Kurse, është shprehur se panairet janë vendet ku më së shumti shiten produktet e prodhuesve.

“Sot kam pestil, domethënë kumbull pa sheqer, kam hajvar dy llojesh, të pjekur dhe të papjekur, kam tranguj turshi dhe sallatë të përzier. Pjesën më të madhe të produkteve tona jemi duke i shitur nëpër panaire dhe ky panair e ka një sukses të madh për neve se këtu sigurisht do të mund të shesim pjesën më të madhe të produkteve”.

“Çmimet janë shumë më të ulëta për panair se sa që i kemi nëpër objektet shitëse. Sot e kam pestilin kumbull pa sheqer 3 euro, në lokal e kam 4 euro. Hajvarin po ashtu të shtëpisë e kam për 1 euro, ndërsa në lokal është 1 euro e gjysmë. Çmimet janë shumë më të ulëta se sa që i kemi nëpër objekte”.

Remzije Berisha, kryetare e shoqatës së grave Alba, shoqatë e cila merret me përpunimin dhe konservimin e pemëve dhe perimeve, por edhe të produkteve të brumërave dhe të ëmbëlsirave, ka thënë se panairet e tilla janë sidomos të dobishme për shkak të zgjerimit të njohjes së kompanisë dhe shtimit të konsumatorëve.

“Ne kemi punë vazhdimisht, sepse kemi porosi shumë. Kemi edhe me produkte të brumërave, nëpër ambasada, organizata dhe kështu që kemi porosi çdo ditë. Edhe nëpër panaire marrim pjesë për të promovuar”.

“Çdo herë panairet janë të mira, se promovohen produktete, jepen kontakte”.

Të ngjashme