Në ditën kur shpërtheu skandali se skuadra më e madhe në vend e basketbollit, Sigal Prishtina, përdor xhirollogarinë e një OJQ-je tjetër, të themeluar nga zyrtarët e saj, pasi e veta është e bllokuar për shkak të borxheve, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), përmes zyrtarëve të saj, tha se nuk di gjë për një situatë të tillë të funksionimit.
Dy ditë më vonë, kreu i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, thotë se për të dhe organizatën që drejton, kjo nuk paraqet ndonjë problem, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas tij, nuk është e FBK-së të vlerësojë për këtë çështje, ndonëse për njerëzit e ligjit kjo përbën “skemë të mirorganizuar të kriminalitetit ekonomik” dhe se ka fakte për hetim penal.
Fetahu, dikur lojtar i Prishtinës, thotë se Federata shtyn klubet para çdo fillimsezoni të plotësojnë një formular, ku ndër të tjera duhet të shënohet edhe numri i xhirollogarisë. E Sigal Prishtina ka pesë vjet që funksionon me xhirollogari të Akademisë ABA. Ajo ka konfirmuar se emri ligjor i klubit është “Akademia Basket ABA” .