Presidenca e Kosovës ka publikuar shpenzimet e bëra në gjashtëmujorin e vitit nga janari deri në qershor nga kabineti.
Gjatë kësaj periudhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kabineti i saj prej 19 personave kanë shpenzuar 75 mijë e 226 euro.
Sipas të dhënave të presidencës kabineti i Osmanit shpenzimet më të mëdha i ka pasur për bileta të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit (48 mijë e 986 euro).
Për akomodim gjatë udhëtimeve kanë shpenzuar 12 mijë e 685 euro, ndërsa 9 mijë euro për karburante.
Sa i përket drekave dhe darkave zyrtare, e para e shtetit dhe kabineti i saj kanë shpenzuar 3 mijë e 455 euro, duhet theksuar se vetëm një koktej protokollar me rastin e javës së gruas Presidencës i ka kushtuar 1 mijë euro.
Në publikimin e këtyre të dhënave edhe administrata, ish-presidentët dhe Këshilli Konsultativ për Komunitete në kuadër të Presidencës kanë shpenzuar rreth 11 mijë euro.
Ndërkaq, më së shumti shpenzime kanë pasur për karburante 7 mijë e 587 euro.
Për dreka dhe darka zyrtare, shpenzuan 2 mijë e 977 euro, po ashtu 371 euro u kanë kushtuar biletat e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit.
Më 30 janar të vitit 2022, këshilltari për media i Zyrës së Presidencës së Kosovës, Bekim Kupina, në rrjetin e tij social, Facebook kishte publikuar shpenzimet vjetore të kësaj zyre duke thënë se ka pasur ulje drastike në të gjitha kategoritë.
Sipas tij asnjë cent nuk është shpenzuar dosido.
Për Kupinën racionalizmi i shpenzimeve është parim kryesor që e ka ndjekur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani që nga dita e parë, fillimisht në Kuvendin e Kosovës e më pas në presidencë.
Nga të dhënat e publikuara, gjatë vitit 2021 për dreka dhe darka zyrtare ishin shpenzuar 2 mijë e 714 euro.
Për shpenzimet e karburantit janë harxhuar 5 mijë e 165 euro, ndërsa për akomodim jashtë vendit janë shpenzuar 26 mijë e 172 euro.
Shpenzimet vjetore të 2021 nga Presidenca.
Kurse, për sa i përket harxhimeve për bileta për udhëtim jashtë vendit, për këtë vit janë shpenzuar 35 mijë 863 euro.
Në anën tjetër, Artan Murati, zëvendës shefi i stafit të Zyrës së Presidencës, kishte bërë të ditur se zyra në fjalë do të publikojë në mënyrë proaktive shpenzimet e realizuara për dreka e darka, udhëtime jashtë vendit e karburante.
“Të gjitha udhëtimet jashtë vendit janë realizuar me fluturime në klasë ekonomike, pa shpenzuar asnjë cent të panevojshëm, dhe me delegacione të kufizuara në numër. Drekat e darkat janë shtruar kryesisht për miq të Republikës së Kosovës, për të kultivuar raportet mes shteteve. Veturat zyrtare janë përdorur e do të përdoren vetëm e vetëm për punë dhe aktivitete zyrtare, për çfarë janë të destinuara”, kishte shkruar Murati.
Vjosa Osmani e ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentes më 6 prill 2021.