Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) që të ngrisë kallëzime penale për kryeministrin Ramush Haradinaj dhe vartësit e tij që morrën vendim për rritje pagash.
Në një konferencë për media ajo tha se vendimi i Qeverisë për rritje pagash të zyrtarëve të lartë duhet të shfuqizohet e jo të pezullohet, raporton Ekonomia Online.
“I bëjmë thirrje AKK-së të veprojë me kallëzime penale për kryeministrin dhe ministrat që kanë marrë pjesë në votimin e vendimit për rritjen e pagave”.
“Ky vendim është kundër kushtetues pasi është në shpërputhje me gjendjen ekonomike dhe se rritjen e pagave mund ta bëjë vetëm Kuvendi me anë të vendimeve”.
Gjatë javës Qeveria ka marrë vendim që të pezulloj përkohësisht vendimin për rritje të pagave, pasi AKK ka nxjerrë konstatimin sipas të cilit vendimi për rritjen e pagave është konflikt interesi, e do të duhej trajtuar sipas ligjit në fuqi.
Kryeministri, Ramush Haradinaj, pas këtij vendimi kishte thënë se me këtë vendim nuk do të ketë rritje të pagave as për prokurorët e gjykatësit.
Ndërsa Haxhiu tha se Qeveria nuk ka qenë në dijeni për rritjen me automatizëm të pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, kur i rriti pagat për vete.
“Nëse Qeveria paska qenë e interesuar t’ua rris pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve, pse nuk ndërmori veprime ligjore për ta bërë këtë gjë. Qeveria nuk ka qenë në dijeni për rritjen me automatizëm të pagave për gjyqtarët dhe prokurorët”.
Ajo shtoi se presin nga Gjykata Kushtetuese të marrë vendim meritor për kërkesën e 30 deputetëve të Kuvendit për interpretim rreth kësaj çështje.
VV për rritjen e pagave ka kërkuar edhe interpelancë për kreun e ekzekutivit. Kryesia e Kuvendit është paralajmëruar të mblidhet të hënën dhe do të diskutohet edhe kjo çështje.
“Ne presim që sa më parë që kryesia e Kuvendit të thërras interpelancën e kërkuar nga grupi ynë parlamentar”.
“Nuk do të ndalemi deri veprimi i paligjshëm të zhbëhet. Presim që Gjykata Kushtetuese të marrë vendim meritor”.
“Ata që kanë nevojë për rritjen e pagave është stafi civil, të cilët janë punonjës të institucioneve të drejtësisë e të cilët kanë pagën nën 400 euro. Sipas informacioneve që i kemi, në kohën kur është marrë ky vendim i kundërligjshëm, Qeveria Haradinaj nuk ka qenë fare në dijeni që me automatizëm do të ngriten pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Madje, këtë pohim timin e mbështes duke ia shtuar deklaratat skandaloze të kryeministrit Haradinaj kur u pyet nga gazetarët për rritjen e pagës, të njëjtën e arsyetoi me nevojën e blerjes së këmishave e kollareve dhe tha që një kryeministër që nuk e ka pagën e lartë do të detyrohet të korruptohet. Pra, në atë kohë nuk foli as për gjyqtarët as për prokurorët” ”, tha ajo.
Haradinaj, me anë të një vendimi të datës 21 dhjetor 2017, ia ka rritur pagën vetes, anëtarëve të kabinetit qeveritar, këshilltarëve dhe disa zyrtarëve të stafit të zyrës së kryeministrit.
Nga 1 mijë e 443 euro sa e kishte, paga mujore e kryeministrit është vendosur të jetë 2 mijë e 950 euro. Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për rritje të pagave edhe të zëvendëskryeministrave dhe ministrave. Rroga për një ministër ka arritur në 2 mijë euro nga 1 mijë e 270 sa ishte më parë.
Me hyrjen në fuqi të vendimit për ngritje të pagave për zyrtarët qeveritar, me automatizëm, në bazë të Ligjit për Gjykata dhe Ligjit për Prokurorinë e Shtetit, do të rriten edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjitha nivelet.