Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e teknologjisë së informacionit me temë “Sistemi Informativ i Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrit Civil (ARC)”.
Auditimi i këtij sistemi është duke u kryer për herë të parë dhe përfshin kryesisht periudhën 2020-2021.
Procesit të auditimit do t’i nënshtrohet Agjencia e Regjistrit Civil (ARC) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme si dhe Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Prizrenit, përkatësisht sektorët e gjendjes civile.
Në fokus të auditimit do të jenë departamentet/sektorët përkatëse të
këtyre institucioneve.
Objektiv i këtij auditimi është vlerësimi i administrimit dhe siguria e informacionit të sistemit informativ të gjendjes civile të Republikës së Kosovës. Përmes procesit të auditimi synohet të shihet nëse është duke u ruajtur siguria dhe konfidencialiteti i të dhënave, integriteti dhe disponueshmëria e të dhënave.
Zyra Kombëtare e Auditimit, Departamenti për Komunikim dhe Zhvillim Profesional.
Fushëveprim i këtij auditimi do të jetë në Sektorin për Administrimin e Bazave të të Dhënave të ARC-së, Sektorin e Regjistrimit Qendror të Gjendjes Civile dhe Sektorët e Gjendjes Civile në komuna.
Auditimi do të fokusohet në Sistemin Informativ për Gjendjen Civile, i cili shërben për administrimin e regjistrit qendror të gjendjes civile. Ky auditim do të trajtojë fushën e operacioneve të teknologjisë së informacionit, sigurinë e informacionit dhe kontrollet e aplikacionit.
ARC-ja është burimi kryesor i të dhënave personale të qytetarëve të Kosovës, të cilat regjistrohen dhe mbahen në regjistrin e gjendjes civile dhe që vërtetojnë lindjen, statusin familjar, vdekjen, marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe çdo ndryshim që ndodh në këto marrëdhënie.
ARC-ja është përgjegjëse për menaxhimin e proceseve në lidhje me aplikimin e personalizimit dhe lëshimit të dokumenteve për shtetasit e Republikës së Kosovës, për shtetasit e huaj dhe për personat pa shtetësi, kur kanë banim të përkohshëm apo të përhershëm në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe për shtetasit e huaj, të cilët kanë përfituar azil në Republikën e Kosovës.
Ruajtja e konfidencialitetit është një nga parimet kryesore të regjistrit qendror të gjendjes civile, si dhe ARC-ja duhet siguruar saktësinë dhe plotësinë e të dhënave të regjistruara në sistemin informativ nëpërmjet të cilit menaxhohen këto të dhëna.
Andaj, auditimi i teknologjisë së informacionit për “Sistemin Informativ të Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrit Civil (ARC)” është i rëndësishëm meqë sipas hulumtimeve paraprake për SGJC-në janë identifikuar mangësi në mbrojtjen e të dhënave personale, përkatësisht në ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave.
Prandaj përmes këtij procesi të auditimit synohet të vlerësohet nëse Sistemi i Gjendjes Civile ruan sigurinë, privatësinë dhe integritetin e të dhënave në përputhje me standardet dhe praktikat e mira të sistemeve të informacionit. Qëllimi është të jepen rekomandime të praktikave më të mira që të përmirësojnë funksionimin e këtij sistemi të informacionit.