Për katër muaj në rrugët e Kosovës kanë ndodhur mbi 6 mijë aksidente, ku prej tyre 31 kanë qenë me fatalitet.
Sipas Policisë së Kosovës, janë 4 mijë e 30 persona të lënduar nga këto aksidente.
“Për periudhën janar-prill janë 31 aksidente fatale, 2,164 aksidente me lëndime me 4,030 personat të lënduar. Kurse aksidente me dëme janë 3,933 apo në total aksidente 6,128”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Policia kërkon nga pjesëmarrësit në trafik që t’iu përshtaten kushteve të rrugëve.
“Policia e Kosovës me njësitë e sajë në vazhdimësi ka ndërmarrë dhe është duke ndërmarrë të gjitha veprimet në parandalimin e aksidenteve dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik. Policia e Kosovës vazhdon të kërkoj nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e trafikut rrugor, të ju përshtaten rregullave, kushteve të rrugës, si dhe të jenë shumë vigjilent. Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, veçanërisht drejtuesve të automjeteve është i domosdoshëm për një siguri më të madhe në trafik”, thekson Policia e Kosovës.
Që nga 1 janar 2018 të gjitha veturat e kategorisë më të vjetra se 10 vjet dhe ato që nuk kanë motor të standardit “Euro 4” nuk mund të zhdoganohen brenda territorit të Kosovës. Kjo ishte bërë për shkak të kufizimeve ligjore në import dhe për të ruajtur ambientin nga lirimi i gazrave të makinave.
Përcaktimi i vjetërsisë merret për bazë viti i parë i regjistrimit i cili duhet të jetë brenda periudhës 01 janar deri 31 dhjetor të vitit 2012.
Në përgjithësi mesatarja e vjetërsisë se veturave që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet, apo rreth 10 vjet më shumë sesa mesatarja e veturave që qarkullojnë brenda Bashkimit Evropian.
Gjatë vitit 2019, ishte provuar që të hiqet ky kufizim, por se nuk kishe pasur sukses ky propozim, e që ishte rrëzuar në Kuvendin e Kosovës.
Makinat e BE-së tani janë mesatarisht 11.8 vjet të vjetra. Lituania dhe Rumania kanë flotën më të vjetër të makinave, me pothuajse 17 vjet, ndërsa më të rejat mund të gjenden në Luksemburg me 6.7 vjet.
Veturat më të vjetra se 10 vjet në Kosovë janë 80 për qind të amortizuara dhe se në këtë drejtim duhet të ketë një mbikëqyrje më të madhe nga organet shtetërore.
Kështu ka thënë për Telegrafin eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj duke shtuar se qytetari duhet të zgjedh ndërmjet veturës së re e me kosto të mirëmbajtjes më të lirë dhe asaj të vjetrës me çmim më të shtrenjtë.
“Automjetet të cilët i kalojnë 10 apo 12 vite konsiderohet si të amortizuar për 80 për qind, prej këtij pozicioni nëse e shikojmë, atëherë ato duhet ta kenë një përkujdesje më të madhe nga organet shtetërore, për sa i përket kontrollimit teknik. Ne e dimë se në Kosovë e kemi kontrollimin teknik periodik për automjetet zyrtare ose për ato që janë në shërbim për palën e tretë, si dhe kontrollimin e rregullt, sidomos e kemi kontrollimin e jashtëzakonshëm”, kë thënë Dedaj.
Ai shton se Kosova mund të bëhet një deponi në qoftë se ne nuk e ndryshojmë Rregulloren mbi Importin e Veturave.
“[Kosova] mund të bëhet një deponi në qoftë se ne nuk e ndryshojmë Rregulloren mbi Importin e Veturave, për shkak se ende mbetet në fuqi që vetura 6-vjecare duhet të jetë më e shtrenjtë se 12-vjecari, atëherë kjo do të na sjell llomin e të gjithë Evropës. Nëse e ndryshojmë tarifën që 6-vjecari duhet të jetë më i lirë se 12-vjecari, sigurisht që do ta kemi një freski të automjeteve të reja edhe një freski të sigurisë në komunikacion për sa i përket faktorit automjet”, përfundon ai. /Telegrafi/