Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për Certifikimin e Listës Përfundimtare të Votuesve (LPV) për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit.
Në zgjedhjet për kryetar të Drenasit, do të kenë mundësi votimi 52 mijë e 569 votues, që përbën një rritje prej 2 mijë e 338 votues apo 4.45% në krahasim me zgjedhjet e fundit për të njëjtën komunë.
Gjatë paraqitjes së Raportit Përfundimtar të LPV-së u bë e ditur se numri i Qendrave të Votimit në këtë komunë është 28 sosh (4 më shumë se në Zgjedhjet 2014) me gjithsej 72 vendvotime.
Në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendim edhe për miratimin e dizajnit, përmbajtjes dhe formatit të Fletëvotimit për këto zgjedhje, që do të mbahen më 4 dhjetor 2016.
Sipas vendimit të KQZ-së, Fletëvotimi, ndër tjerash, përmban: logon e KQZ-së; emrat e subjektit politik përkatësisht kandidatëve siç janë paraqitur në aplikimin për certifikim së bashku me numrin rendor; dhe tekstin udhëzues ”votoni vetëm një kandidat”.
Në fund të mbledhjes, KQZ diskutoi lidhur me kërkesën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për pjesëmarrje në Reformën Zgjedhore. Pas diskutimeve, u vendos që kryetarja Daka të përfaqësojë KQZ-në në këto takime.
Zgjedhjet e parakohshme në Drenas do të mbahen më 4 dhjetor, pasi që kryetarit Nexhat Demaku iu fuqizua dënimi për krime lufte.