Për largimin e Kosovës nga ENQA fajësohet politika

Prishtinë | 03 Tet 2019 | 19:07 | Nga Ekonomia Online

Ndërhyrjet politike në Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA), kanë bërë që kësaj agjencie të mos i vazhdohet anëtarësia në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), thuhet në vendimin që i është dërguar kësaj Agjencie.

Në këtë vendim të marrë në mbledhjen e fundit të ENQA-s më 19 shtator, përmenden edhe arsyet tjera për mosvazhdimin e anëtarësisë.

Mungesa e konsensusit të gjerë në arsimin e lartë lidhur me rolin dhe aktivitetet e agjencisë si dhe mungesa e resurseve njerëzore dhe financiare për të realizuar aktivitetet e AKA, po ashtu përmenden në arsyetimin e bërë tashmë publik.

Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), është organizatë që përfaqëson anëtarët e saj në Evropë dhe më gjerë, sidomos në proceset e vendimmarrjes politike dhe bashkëpunon me organizatat e interesuara.

Lidhur me këtë vendim, ka pasur shumë reagime në Kosovë. Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, përmes një deklarate për media, ka fajësuar qeverinë dhe politikën për këtë situatë.

Përmes kësaj deklarate, Zyra e BE-së kujtoi vendimin e ministrit në detyrë të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, të marrë me kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj, për ta shkarkuar Këshillin Shtetëror të Cilësisë në vitin 2017.

“Të qenët anëtar i kësaj organizate nuk ishte vetëm një arritje e madhe për institucionet e Kosovës, por edhe shumë e rëndësishme për të lehtësuar mobilitetin për studentët dhe të rinjtë e kualifikuar të Kosovës. Ndërprerja e anëtarësimit është një kthim prapa dhe pasojë e drejtpërdrejtë e politikave jo të shëndosha në të kaluarën, siç ishte vendimi i qeverisë në shtator të vitit 2017 për të shkarkuar të gjithë Bordin e Agjencisë pa arsyetimin e duhur”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së.

Edhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) ka reaguar ndaj përjashtimit të AKA-së, duke e quajtur vendim të drejtë.

Në një komunikatë për media të KShC-së thuhet se ky vendim “reflekton problemet strukturore të AKA dhe trashëgiminë e lënë pas ndërhyrjeve të vazhdueshme politike në punën e Agjencia e Kosovës për Akreditim”.

“Të gjeturat e ENQA-s janë plotësisht korrekte dhe pasqyrojnë shtrëngimet e jashtme dhe të brendshme me të cilat përballet Agjencia e Kosovës për Akreditim. Është brengosëse që Agjencia e Kosovës për Akreditim vazhdimisht është përballur me mungesë të mbështetjes, mungesë të burimeve njerëzore, pavarësi të cunguar, që ka pamundësuar fuqizimin dhe llogaridhënien e AKA-së. Jemi të shqetësuar se vendimi i ENQA-s largon Kosovën nga komuniteti i zonës evropiane të arsimit të lartë dhe vështirëson barasvlerësimin e diplomave të marra nga institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thotë se e ka pranuar me shqetësim lajmin se Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), ka konstatuar që Agjencia e Kosovës për Akreditim nuk i përmbushë rregullat evropiane për të qenë pjesë e Asociacionit dhe si e tillë nuk mund të jetë pjesë e ENQA-s.

Sipas një njoftimi të kësaj ministrie, thuhet se për këtë lajm është njoftuar nga mediat dhe nuk ka asnjë informacion zyrtar.

“Sot ministria ka kërkuar informacion zyrtarisht nga Agjencia e Kosovës për Akreditim mbi raportin e ri të krijuar mes Agjencisë dhe ENQA-s, e po ashtu edhe për gjetjet në raportin e Asociacionit, mbi bazën e të cilit është marrë ky vendim”, përfundon njoftimi.

Organizatat joqeveritare në Kosovë, që merren me arsimin, fajësojnë politikën, por edhe keqmenaxhimin e vetë Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndërhyrje politike në Agjencinë e Akreditimit ka pasur që nga themelimi i saj.

“Mosvazhdimi i anëtarësimit të Agjencisë në ENQA, është si rrjedhojë pikësëpari e ndikimeve politike mbi këtë agjenci dhe pastaj, jo vullneti i mirëfilltë i institucioneve tona, për të siguruar një pavarësi dhe një punë të mirëfilltë të këtij institucioni”, thotë Qehaja.

Ai thotë se largimi i Kosovës nga ENQA, i vë një hije shumë të keqe arsimit të lartë në vend, karshi institucioneve ndërkombëtare.

Sipas shoqërisë civile, përjashtimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga ENQA do të shkaktojë dëm te studentët që regjistrohen në programet e akredituara pas vitit 2019, posaçërisht në çështjen e njohjes më të lehtë të diplomave të tyre jashtë Kosovës.

Visar Xhambazi, hulumtues në Institutin Demokraci për Zhvillim (D4D), thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi tregon gjendjen degraduese të Agjencisë. Sipas tij, gjatë dy vjetëve të fundit, Agjencia e Kosovës për Akreditim, ishte pre e sulmeve politike.

“Përgjegjës institucionalë mbesin kryeministri në largim Ramush Haradinaj dhe ministri në detyrë i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, sepse këta kanë lejuar që ky institucion të politizohet dhe të degradohet deri në këtë masë që ne të mos jemi pjesë e kësaj organizate”, u shpreh Xhambazi.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë me ministrin në detyrë të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, dhe Zyrën e kryeministrit, por të njëjtin nuk janë përgjigjur.

Njëjtë kanë vepruar edhe drejtues të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Në shkurt të vitit të kaluar, Agjencia e Kosovës për Akreditim ishte përjashtuar nga Regjistri Evropian i Sigurimi të Cilësisë në Arsimit e Lartë (EQAR).

Në njoftim-vendimin e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dërguar Agjencisë së Kosovës për Akreditim, bëhet me dije se kjo Agjenci (AKA) mund të aplikojë sërish për anëtarësim dy vjet pas marrjes së këtij vendimi.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme