4 Nëntori përmbylli garën zgjedhore lokale dhe nxorri LDK-në si partinë kryesore fituese, falë besimit të qytetarëve të vendit tonë dhënë asambleistëve dhe kandidatëve për kryetarë komunash nga rradhët tona. Kjo arritje shënon veçse fillimin e rikthimit të LDK-së. Rikthimi është proces, jo akt.
Kushdo që mendon se rikthimi i LDK-së është përmbushë, gabon! Neve na duhet ende shumë punë e angazhim në terren për të sjellë LDK-në aty ku e ka vendin.
Shembja elektorale që pësuam më 14 shkurt kërkon jo vetëm rifreskim e riorganizim por edhe ristrukturim e mbi të gjitha çasje ndryshe. Arritja jonë më 14 nëntor është indikator i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për rrugën tonë drejt rikthimit.
Ata që mjaftohen me fitoret në komunat që kishim edhe më parë, dhe shohin kulmin e suksesit në marrjen e Prishtinës, Junikut e Dragashit, duket se po harrojnë humbjen e Gjilanit, Podujevës e Vushtrrisë! Nuk ka dyshim se fitorja në Prishtinë veçanërisht (por edhe në komunat tjera të fituara) është emblematike!
Nuk ka njëri të besatuar me LDK-në që nuk i është gëzuar fitores në Prishtinë, por sa i madh ishte ky gëzim, thuaja po aq i madh ishte edhe hidhërimi për pamundësinë e arritjes së fitores në Podujevë (përkundër një shembëlltyre prej kandidati si Dr. Ekrem Hyseni), në Gjilan (përkundër transformimit infrastrukturor e zhvillimit që aty ka sjellë një Kryetar si Lutfi Haziri), e në Vushtrri (përkundër një lidershipi të ri e inovativ që përfaqësonte një Kryetar si Xhafer Tahiri).
Anashkalimi i këtyre tri komunave ku tanimë do qeverisin oponentët tanë kryesorë politik si LVV e PDK dhe tentimi për të neglizhuar komplet këtë pjesë të rezultatit zgjedhor, apo për të mbuluar atë me fitoren emblematike në Prishtinë apo edhe me numrin simbolik të komunave të fituara paraqet një vetëkënaqësi që më së paku na duhet sot, në fillimin e mbarë të rikthimit tonë. Duhet të jemi realistë e pragmatikë nëse e kemi përnjëmend rikthimin.
Nëse mjaftohemi me kaq, ka mundësi të dëshprohemi përsëri në zgjedhjet e ardhëshme nacionale që ka mundësi të vijnë më shpejtë sesa që mund të mendojmë. Të besatuarit me LDK-në, aktivistët e përkrahësit tonë janë më meritorët për fillimin e mbarë të rikthimit në zgjedhjet lokale. Shumë vajza e djem, gra e burra, e të moshuar nuk kursyen asgjë nga vetja e tyre për nisur këtë proces të mbarë të rikthimit tonë.
Lidershipit të Lidhjes sonë i mbetet barra e drejtimit të këtij procesi drejtë fitoreve të rradhes, barrë e cila nuk është e lehtë, e veçsa mund të rëndohet nëse ne nuk promovojmë vlerat tona, njerzit tanë meritorë, dhe nuk i çasemi pa hile vizionit tonë burimor rugovist.
Gjithëçka tjetër mund veçse të na ofrojë vetëkënaqësi jetëshkurtër!