Masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit, sidomos zvogëlimi i lëvizjes së automjeteve ka ndikuar që cilësia e ajrit të përmirësohet për mbi 50%.
Kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se matja e cilësisë së ajrit bëhet në 12 stacione të monitorimit.
Ai ka sqaruar në të gjitha stacionet ka rënie të dioksidit të azotit që është produkt i djegies së karburanteve nga automjetet.
“Të dhënat më të reja gjatë monitorimit permanent për 24 orë në 7 ditë në 12 stacione të monitorimit të cilësisë së ajrit në Kosovë. Në të gjitha stacionet kemi rënie të dioksidit të azotit që është produkt i djegies së karburanteve nga automjetet më 50%, derisa ka qytetet me mbi 60%”.
“Për muajin mars për vitin 2020 ka qenë mesatarja 18.3 mikrona krahasuar me vitin e kaluar 43.5 në nivel vendi. Kemi ulje edhe në qytete tjera siç është Gjilani me 18.8 mikrona krahasuar me vitin e kaluar 35.5, Drenasi 11.5 tani me 16.7 vitin e kaluar. Hani i Elezit 17 mikrona krahasuar me 61.3 vitin e kaluar për shkak të ndalimit të kufirit që kemi një dallim të madh. Obiliqi 22 mikrona vitin e kaluar 24”.
Sipas tij, kjo është indikator që të merren masa sa i përket reduktimit të transportit.
“Është një indikator për të ardhmen që na tregon që të marrim masa për një transport urban e regjional shumë më te sofistikuar e me modern. Sa i përket parametrave të tjerë nuk ka shumë rënie. Të gjithë parametrat gjatë marsit kanë qenë në vlerat e lejuara”.
“Nëse mbetet Ministria e Infrastrukturës dhe Mjedisit bashkë do të ishte mundësi e mirë për të rregulluar këtë proces të transportit sepse shumë moti kemi tentuar të rregullojmë. Në nivel evropian transporti është ndotësi i dytë i ambientit, rreth 30% vjen si shkas i ndotjes së ambientit”.
Morina sqaroi se zgjidhja e duhur është formimi i një strategjie me zero emisione siç lejojnë direktivat e vendit.
Morina e quajti një mundësi të mirë bashkimin e ministrive në Qeverinë Kurti, pasi siç tha ai, kjo do të jetë më e lehtë në riorganizimin e transportit.
“Do t’i futemi një studimi për të dal zyrtarisht me raportin për Qeverinë e Parlamentit për të konstatuar këtë çështje dhe hapat për të ardhmen, tani me fakte. Transporti është një ndër ndotësit më të mëdhenj, numri i tyre sillet rreth 400 mijë të regjistruar duke mos numëruar makinerinë e rëndë ose industrisë private, minierat e të tjera. Ndërmarrja e një strategjie të saktë me zero emisione në vlerat e lejuara atëherë mund të ndikojmë në përmirësimin të ajrit dhe shëndetësinë e popullatës”.
“E kemi një shans të artë që ministria tani që është e transportit dhe ambientit të rregullojë një çështje madhore të ndikojë në riorganizimin e transportit qoftë urban ose ndër-urban”, tha ai.
Morina tha se për eliminimin e ndotjes nga transportit duhet të bëhet elektrifikimi i autobusëve ose lejimi i automjeteve elektrike, raporton EO.
Mënyra tjetër për përmirësimin e ajrit tha se është edhe lirimi i linjave hekurudhore për të bërë lirimin e automjeteve të tepërta. Si dhe zgjidhje tjetër që mund të jep zgjidhje sipas Morinës është edhe ngritja e çmimeve të parkingjeve brenda kryeqytetit.
“Elektrifikimin e autobusëve dhe përparësi për automjetet elektrike, vend parkingje pa para për ata që kanë automjete miqësore me mjedisin. Të pajisim me tramvaj elektrike. Janë çështje që duhet ndarë mjete e të rregullohet sistemi. Lidhjet hekurudhore që të lëshohen trenat në hekurudhat që i kemi që të lirohen rrugët nga automjetet e tepërta. Të bëhet një çmim i lartë për parkingje brenda qytetit”, u shpreh Morina.