Për mungesë transporti, nxënësit e disa fshatrave të Podujevës nuk po e vijojnë shkollimin

Podujevë | 20 Tet 2020 | 19:42 | Nga Ekonomia Online

Nxënësit e fshatit Kushevicë të Podujevës çdo ditë i bëjnë nga 12 kilometra rrugë në dy drejtimet për të vijuar mësimin në shkollën “Zahir Pajaziti”, në fshatin Orllan.

Ky itinerar në shumicën e herëve bëhet në këmbë, pasi Komuna ende nuk ua ka siguruar transportin, raporton KOHA.

Fatin e njëjtë e kanë edhe afër 300 nxënës të fshatrave të tjera, të cilët i bëjnë më shumë se 4 kilometra rrugë për në shkollë, e për këtë arsye një pjesë e tyre nuk e kanë ndjekur fare mësimin.

“Ne në shkollë shkojmë këmbë, na përcjellin prindërit se kemi frikë nga qentë, e kemi 12 km larg dhe çantat nuk mundemi me i mbajt se janë të rënda. Nuk kemi me çka me shku”, ka thënë Jetmira Haliti, nxënëse e klasës së gjashtë nga fshati Kushevicë.

Prindërit ankohen se prejse Komuna e Podujevës ua siguron transportin, vetëm një herë fëmijëve u është siguruar transporti që nga 1 shtatori. Për 15 vjet, bartja është siguruar me vonesë.

“Përballemi çdo ditë me vështirësi, nuk ka kush me i endë, ka rrezik edhe prej qenve endacakë. Kështu që qysh të mujmë me u organizua dikush i çon një ditë këmbë, dikush i merr”, ka thënë Ilaz Haliti, kryetar i Këshillit të Prindërve në shkollën “Zahiri Pajaziti”, Orllan.

Ankesa kanë edhe prindërit.

“Veç prej meje këtu janë 4 km, edhe 2 km i kanë tjerët ma naltë, po tjerët i kanë me nga 6 km e ma shumë. Po këta janë pa mësim, fëmijët nuk e kanë zhvilluar mësimin. Janë pa mësim. Këta krejt me llogarit, 1 javë ditë nuk kanë bërë mësim më shumë. Transport me i bart nuk kemi”, ka thënë Shefqet Syla, banor i fshatit Orllan.

Ndërkohë zyrtarët komunalë të Podujevës kanë thënë se tashmë është nënshkruar kontrata me operatorin ekonomik dhe se nga e mërkura do të fillojë bartja e 333 nxënësve nëpër fshatra të ndryshme, duke përfshirë edhe ata të anës së Orllanit. Zëdhënësi Bujar Gimolli thotë se vonesa ka ndodhur për shkak se në njërën prej 11 loteve OE fituesi ishte tërhequr nga gara.

“Operatori i parë ekonomik që është zgjedhur si fitues i tetnderit në kohën kur janë kërkuar dokumentet shtesë para se të nënshkruahet kontrata është tërhequr. Dhe për këtë arsye ka ndodhur vonesa derisa është përzgjedh operatori i dytë, sepse janë respektuar afatet që janë të parapara për këtë proces”, ka pohuar Gimolli.

Por Rexhep Zeka nga OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, i cili monitoron aktivitetet e prokurimit në Komunën e Podujevës, ka thënë se arsyeja e kësaj vonese është se administrata komunale e ka shpallur tenderin për bartjen e nxënësve më 26 gusht.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme