Për një vit, në Ferizaj u asfaltuan 54 kilometra rrugë

Prishtinë | 29 Maj 2020 | 17:23 | Nga Ekonomia Online

Këshilltarët e Kuvendit Komunal në Ferizaj, gjatë së premtes kanë debatuar dhe miratuar një varg pikash të rendit të ditës në interes të përgjithshëm. Ndërkaq në mesin e tyre është debatuar edhe për punën njëvjeçare të ekzekutivit.

Sipas kryetarit Agim Aliu, 2019-a ishte vit i suksesshëm derisa janë rritur të hyrat vetjake dhe janë rritur investimet kapitale në interes të përgjithshëm. Ndërkaq, sipas opozitës, gjatë 2019-s janë lidhur gjithsejtë 17 aneks kontrata në vlerë prej një milion euro, mirëpo ato nuk janë pasqyruar në mënyrë të detajuar në raportin njëvjeçar.

Në raportin e ekzekutivit për 2019-n midis të tjerash thuhet se janë ndërtuar 54 kilometra rrugë, gjashtë kilometra trotuare, 1.4 kilometra rrjet të ujësjellësit, 16 kilometra kanale për ujëra atmosferik, 4 kilometra ndriçim publik, 4 kilometra shtigje për biçikleta etj.

“2019-ta u solli ferizajasve rritje e të të hyrave vetanake prej 12 për qind në krahasim me vitin paraprak që i bie më shumë buxhet dhe investime për projekte kapitale. Bizneset përfituan nga vendimi i Komunës për heqjen e taksave për ushtrimin e veprimtarive, ndërkaq u punësuan mbi 500 punëtorë në ekonomitë private”, ka thënë Aliu.

Imri Hashani, këshilltar nga LDK-ja, ka thënë se raporti vjetor i punës së ekzekutivit ka një varg mangësish dhe gabimesh teknike, ndërkaq disa drejtori atë e kanë përgatitur në mënyrë profesionale. Sipas tij, 23 për qind e këtij raporti përmban zhvillimet në sektorin e Shëndetësisë.

“Nuk pajtohem me ekzekutivin se kinse transformimi i Ferizajt ka filluar me këtë qeverisje. Nuk ka filluar e as nuk do te mbaron me këtë qeverisje, sepse transformimi ka filluar që nga paslufta. Mirëpo, qytetareve u intereson sa është mbledhur buxheti dhe si është shpenzuar, mirëpo një shpenzim në detaje nuk po e shohim në këtë raport. Kemi 17 aneks kontrata në vlerë prej një milion eurosh, mirëpo për secilën kontratë mund të jepen anekse të tilla vetëm 10 për qind e vlerës së kontratës, andaj kjo i bije se është dashur të investohen 10 milionë euro, por që në raport nuk e kemi këtë prezantim”, ka thënë Hashani.

Të ngjashme