Administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk përkrah ndonjë zgjidhje të caktuar që rezulton nga dialogu Kosovë-Serbi, përfshirë këmbimin e territoreve. Kështu i ka thënë “Kohës Ditore” një zyrtar i lartë i SHBA-së, në një bisedë të zhvilluar me kushte anonimiteti.
Duke folur me kusht që të mos i përmendet as emri, e as pozita në administratë, zyrtari i lartë amerikan ka thënë se Washingtoni përkrah mundësinë që të dyja palët të vijnë deri te një marrëveshje që do të sigurojë njohjen e ndërsjellë – edhe nëse kjo marrëveshje përfshin korrigjim kufijsh apo këmbim territoresh, është çështje që u takon palëve – dhe më pas, kjo gjë duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë që adreson shumë çështje të tjera, po ashtu. Në fund, ka theksuar zyrtari se SHBA-ja sërish do të duhej të shikojë marrëveshjen për t’u siguruar se ajo nuk është në kundërshtim me interesat dhe vlerat e saj, që do të thotë se jo çdo marrëveshje është e pranueshme, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sa i përket kohës së arritjes së marrëveshjes, administrata amerikane nuk ka ndonjë afat të paracaktuar, por konsideron se viti 2019 është historik për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas zyrtarit amerikan, pranvera nuk është afati dhe nuk është me rëndësi nëse marrëveshja arrihet në prill, shtator apo në dhjetor. Megjithatë, ai ka theksuar se ndjenja e përgjithshme në Washington është se viti 2019 paraqet një dritare të mundësisë për një marrëveshje historike.
Administrata amerikane beson që një marrëveshje me Beogradin do ta hapte rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në OKB dhe BE – edhe pse këto, po ashtu, do të varen edhe nga faktorë të tjerë të jashtëm, tha ai.