Në alarm e ka vënë Qeverinë serbe vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës nga 10 në 100% për produktet serbe që importohen në Kosovë.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i ka thirrur në takim në zyrën e tij përfaqësuesit serbë të Kosovës.
Pas takimit, Vuqiç ka thënë se duhet të përgatitemi për luftë të gjatë dhe të vështirë, duke shtuar se serbët e Kosovës nuk do t’i lënë në mëshirë, raporton KTV.
Ai ka komentuar deklaratën e Kryeministrit të Kosovës, i cili ka thënë se taksa nuk hiqet pa njohjen e Kosovës.
“Duhet të përgatitemi për luftë të gjatë, sepse pavarësinë me siguri nuk do ta njohim”, ka thënë Aleksandër Vuçiq.
Ndërsa, Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, para takimit ka deklaruar se masat e Kosovës për vënien e taksës prej 100 përqind në mallrat që vijnë nga Serbia e Bosnjë e Hercegovina, kërcënojnë të shkaktojnë krizë humanitare.
Rakiq ka shtuar se pasojat e këtij vendimi tashmë po ndihen, duke theksuar se alternativa tregtare nuk ka.
“Lista Serbe ka një kohë të gjatë që vepron si opozitare dhe është e vetmja opozitare kur bëhet fjalë për interesat e popullit serb. Partitë shqiptare bashkohen dhe votojnë kundër vendimeve që mundësojnë jetë më të mirë për serbët e jeta më mirë serbët nuk do të jetë më e keqe për shqiptarët”, ka thënë Rakiq.
Rakiq, para takimit, është pyetur nga gazetarët serbë edhe për mundësinë e largimit nga koalicioni, duke thënë se lehtë është të dilet nga institucionet e Kosovës, porse më nuk do të dëgjohej zëri serb.