Për të gjashtën mbrëmje protestë në Prishtinë, qytetarët lexojnë betimin e ushtarit të UÇK-së

Prishtinë | 21 Sht 2026 | 21:22 | Nga Ekonomia Online

Një numër i madh qytetarësh janë tubuar për të gjashtën mbrëmje radhazi në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), raporton Ekonomia Online.

Gjatë protestës, pjesëmarrësit janë parë me flamuj dhe simbole të ndryshme të UÇK-së, si dhe me figura të lidhura me luftën.

Të pranishmit kanë lexuar gjithashtu betimin e ushtarit të UÇK-së, së bashku me ish-ushtaren dhe ish-deputeten Aida Dërguti.

Betimi është lexuar njëzëri nga protestuesit:

“Unë, ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre.
Do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë,
vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar,
i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën time,
të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut.
Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës
dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im.”

Ndërsa studenti Bleard Meha tha se besojnë në ish-krerët e UÇK-së.

“Sot jemi mbledhur si studentë, e studentët kanë ditur gjithë me çu zërin, prej vitit 1997 e tutje, simbol i rezistencës. Shpirt i kanë dhanë Kosovës për me ndërru, me guxim me ndërru për çlirim.
E sot jemi mbledhur prapë me këtë shpirt e prapë me këtë frymë me ju tregu që ata burra që i shihni atje, që i shihni këtu edhe që na përfytyrohen çdo natë që 6 net me radhë, nuk janë vetë! Ne besojmë në historinë tonë, sepse kanë besuar aleatët tanë, ka besuar SHBA-ja, e kur edhe ata kanë besuar, kjo është edhe një arsye më e madhe pse na duhet me i besuar, sepse UÇK-ja është 100% e pastër! Andaj besojmë në ushtrinë tonë me shpirtin vigan, besojmë në kryelartë në pavarësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Pjetër Shalës, Salih Mustafës dhe krejt ata që sot janë mes nesh edhe ata që nuk janë më”, tha Meha.

Të ngjashme