Falë bashkëpunimit dhe zhvillimit zviceran, gratë kosovare marrin fatin në duart e tyre, shkruan gazetari zviceran, Roland Rossier, në një artikull të publikuar në gazetat “24 Heures” dhe “Tribune de Geneve”.
Ashtu si kombe të tjerë të harruar nga Zoti, edhe Kosova po lufton për të zënë vendin e vet nën dritën e diellit. E gjendur mes Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë (shih hartën) ky vend duket sikur Sildavia që përshkruhet në aventurat e Tintinit. Fushat gjenden pranë qyteteve, a thua se vendi ka harruar të kalojë nëpër “revolucionin industrial”. Është një nga vendet më të varfra të Evropës. Të rinjtë largohen. “Të rri këtu? As e çoj nëpër mend. Nuk ka punë. Nuk ka asgjë. Sapo të paraqitet rasti, do të ikim për Londër apo SHBA” më thonë në mirëbesim dy të rinj që studiojnë juridikun, me të cilët u takova në kampusin e Universitetit të Prishtinës.
Shumë të rinj ëndërrojnë edhe për Zvicrën. Dhe fjala “zviceran/e” këto tingëllon magjike. Me 109,000 banorë, komuniteti kosovar në Zvicër është i pesti për nga madhësia pas italianëve, gjermanëve, portugezëve dhe francezëve.
Këto largime e zemërojnë Havushe Bunjakun. Kjo kosovare e buzëqeshur 45 vjeçare beson në të ardhmen e vendit të saj. Dhe ajo është e gatshme për gjithçka që t’i mbajë fëmijët e saj pranë vetes. Për shembull, të krijojë biznesin e vet nga shtëpia e saj, që gjendt në një fshat pranë Prishtinës, kryeqyteti i Kosovës. “Punën e nisa në vitin 2007. Me profesion jam biologe dhe në fillim kam dhënë mësim në këtë fushë. Mirëpo shumë shpejt unë vërejta se malet tona ishin përplot bimë aromatike dhe mjekësore”. Përplot bar pezmi, boronica, borzilok, kalendulë me lule të verdha ose portokalli. “Disa bimë ne i quajmë ‘çaj i malit’”.
Havushe Bunjaku merr zemër. Sytë i shndërrisin. “Ia kam nisur duke i shitur këto bimë në sasi të vogla. Pastaj erdhi tregu. Njerëzit i vlerësojnë produktet vendore, që rriten pa herbicide.” Biologja nxiti interesimin e një, pastaj dy pas pesëmbëdhjetë fermereve. Prej tyre, njëra është Imlije Bytyçi, 49, e cila vendosi të shfrytëzojë arën prej rreth 3 ari në tokë të pjerrët. “Bashkë me burrin kemi investuar 300 euro për të instaluar një sistem ujitjeje” thotë ajo. Të thara, lulet që ka kultivuar ajo shërbejnë për të bërë çaj, por mund të shfrytëzohen edhe si përbërës në industrinë e kozmetikës. Kjo bimë bujare lulëzon e gjitha brenda tri ditëve, nga gushti deri sa të fillojë bora e parë.
Duke mbajtur në duar një buqetë me bimë, Serbeze Gashi nuk humbet asnjë fjalë nga rrëfimet e dy grave të tjera. Edhe ajo është joshur nga ndërmarrësia. Havushe Bunjaku e ka bindur shpejt. “Për të plotësuar të ardhurat nga ferma jonë familjare, unë kam qepur veshje tradicionale,” tregon Serbeze Gashi. “Sot, familja jonë fiton jetesën falë bimëve që grumbullojmë të cilat ia shesim Havushes. Edhe vajza ime punon për të na ndihmuar”. Kështu, kjo kosovare ka nisur bujqësinë. Ajo mendon se tregu do të rritet shumë. “Do ta shihni, do ta bëjmë Kosovën si Zvicra e re” qesh ajo.
Janë krijuar 500 vende pune
Për të zhvilluar biznesin e saj të vogël, që i ka mundësuar të punësojë edhe burrin e vet (i cili më parë ka punuar për një tjetër biznes), po ashtu një shitëse si dhe t’u ndihmojë rreth pesëmbëdhjetë ekonomive të tjera familjare, Havushe Bunjaku mund të mbështetet tek këshillat dhe përkrahja financiare zvicerane për zhvillim (SDC – Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim). Atje, projekti i emërtuar Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat sjell këshillat nga organizata Swisscontact. Qëllimi i përkrahjes zvicerane është të identifikojë gra të cilat kanë aftësitë e duhura për të krijuar biznese dhe për të punësuar të tjerë. Gjatë tre viteve në Kosovë janë krijuar më shumë se 500 vende pune me orar të plotë në kuadër të këtij programi që mbështet sektorët e turizmit dhe të bujqësisë-përpunimit të ushqimit.
Havushe Bunjaku është krejtësisht e vetëdijshme për mangësitë e produkteve të saj. “Më duhet të përmirësoj paketimin. Edhe pse gjithnjë e më shumë klientë po i njohin çajrat dhe përzierjet tona, ata ende i besojnë më shumë produkteve që janë të paketuara më bukur dhe vijnë nga Turqia apo vendet arave”. Mirëpo kjo kosovare ka diçka që nuk e ka asnjë tregtar turk nga Ankaraja apo diku tjetër dhe që nuk mund të konkurrojë me të: fuqinë e besimit përballë konsumatorit. Ajo beson në të. Ajo beson se gjithnjë e më shumë të rinjtë janë më të ndjeshëm ndaj faktit se këto bimë vijnë nga tokat dhe malet e fëmijërisë së tyre apo të prindërve të tyre. “Ne na vijnë kërkesa edhe nga diaspora kosovare, të cilët dëshirojnë që këto çajra t’i marrin me vete në vendet ku jetojnë, edhe si dhurata. Në fillim ne kemi ofruar dy apo tre lloje të çajrave. Sot, ofrojmë zgjedhje prej njëzetë llojeve të çajit”.
Për të bërë grumbullimin e bimëve në mal, nevojitet licencë e thjeshtë nga Ministria e Bujqësisë. “Mirëpo për këtë qëllim ne mund të mbledhim vetëm bimë të egra që rriten në këto zona”.
Një mal me bakllava
Mbështetja zvicerane për zhvillim përkrah gjithashtu edhe projekte gjysëm-industriale të guximshme. Në Ferizaj, një qytezë që gjendet në jug të Prishtinës, Fatmire Maliqi, 54 vjeçare, ka nisur një aventurë më të pazakontë: ajo po ndërton një fabrikë për prodhim të bakllavasë., “Po shpresoj që prodhimi të fillojë në tetor” thotë ajo para se të na tregojë prapa shtëpisë së saj modeste një ndërtesë ku po vazhdojnë punimet e ndërtimit. Punëtorët janë të zënë me punë mbi çati. “Kjo punë do të kushtojë 300,000 euro” shpjegon ajo. “Mirëpo ne kemi pranuar tashmë porositë. Nga Belgjika, ndoshta dhe nga Gjermania. Edhe arabët duan t’i blejnë bakllavat tona. Djali im ka qenë në një panair në Dubai. Mirëpo kërkesat e tyre janë të mëdha, ne nuk kemi ende mjaft kapacitet për të plotësuar kërkesën e tyre”. Fatmire Maliqi hesht një çast. Mendohet. Dhe pastaj shton me të qeshur “Mjafton të zgjerojmë fabrikën”.
Për të tërhequr klientelën, ajo ofron bakllava të mbuluara me pluhur kokosi, lëndë e parë që ajo e siguron nga Swisslion, një prodhues boshnjak. Ajo prodhon edhe ëmbëlsira me bajame, fëstëkë, mjaltë. Pasi jetoi në ekzil në Hamburg (në vitet 1999 deri 2003) bashkë me pesë fëmijët e saj për shkak të luftës, ajo vendosi të kthehet në vendin e vet. “Atëherë kuptova se shumë gra nuk kishin më kohë të bëjnë bakllava dhe pak e pak, kishin nisur t’i harronin recetat e trashëguara që nga periudha osmane. Nisa prodhimin në vitin 2006 në kuzhinën time. Pa asnjë para. Asnjë bankë nuk më jepte kredi”. Në vitin 2010, pas një marrëveshjeje të nënshkruar me një rrjet të madh shpërndarjeje, ajo ia nisi biznesit.
Artikullin origjinal mund ta lexoni në “24 Heures” dhe “Tribune de Geneve“.
***Ekonomia Online ka marrë të drejtën e ripublikimit.