Gjatë periudhës janar deri në fund të gushtit 2016, Policia e Kosovës ka konfiskuar 845 armë, si dhe 10 500 municione të ndryshme.
Ndërkohë në vitin 2014 janë konfiskuar 1 318 armë dhe 37 211 municione të ndryshme, ndërsa në vitin 2015 janë konfiskuar 1 180 armë dhe 24 119 muicione.
Policia e Kosovës njofton se vazhdimisht ka punuar në luftimin e dukurive negative dhe krijimin e një sigurie të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e vendit, qoftë përmes planeve operacionale policore apo edhe përmes fushatave të ndryshme vetëdijesimi, e në këtë kontekst edhe reduktimin, zvogëlimin e armëve ilegale që mund të jenë si një rrezik potencial për rendin dhe sigurinë e përgjithshme.
“Policia është e përkushtuar në ndërmarrjen e veprimeve konkrete rigoroze ndaj të gjithë atyre që bien ndesh me procedurat e parapara ligjore dhe cenojnë sigurinë e qytetarëve tanë qoftë përmes mbajtjes së paligjshme, por edhe përdorimit të paligjshëm të armëve dhe municioneve të ndryshme”, njofton Policia.
“Të gjitha rastet e armëmbajtjeve pa leje, apo përdorimit të kundërligjshëm të tyre trajtohen në konsultim me prokuroret përkatës dhe pas kompletimit dërgohen në organe përkatëse të drejtësisë ku edhe merren vendimet që parashihen me kod penal për vepra të caktuara”.