Për tetë muajt e parë të këtij viti në Agjencinë e Punësimit në Kosovë janë regjistruar 9 mijë e 110 punëkërkues të rinj.
Nga 95 mijë e 890 të papunë që kanë qenë të regjistruar vitin e kaluar deri në shtator të këtij viti, kjo shifër ka arritur në 105 mijë persona. Një trend i rritjes së tillë nuk ka ekzistuar viteve të kaluara, kur në raste të caktuara kishte pasur edhe rënie të numrit të të regjistruarve, shkruan sot Koha Ditore.
Në vitin 2016, sipas raportit vjetor të Agjencisë për vitin e kaluar, ishin të regjistruar 101 mijë e 773. Kjo shifër në vitin 2017, sipas këtij raporti, ishte zvogëluar në 93 mijë e 866, ose për 9.3 për qind.
Rritja e regjistrimit që ka ndodhur këtë vit vlerësohet në mënyra të ndryshme nga njohës të kësaj fushe. Sipas kryetarit të BSPK-së, Avni Ajdini, kjo rritje është rezultat i mosliberalizmit të vizave dhe pamundësisë së të papunëve për të dalë jashtë vendit. Ndërkohë që për profesorin e ekonomisë Naim Gashi, rritja ka ndodhur si rezultat i programeve të rikualifikimit që ka Agjencia e Punësimit. Njësoj si Gashi thotë edhe ministri në dorëheqje i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.
Kreu i BSPK-së, Avni Ajdini, ka thënë se rinia e Kosovës për vite me radhë vazhdon të kërkojë punë. Ai ka theksuar se ka të rinj super të kualifikuar që nuk mund të gjejnë punë. Sipas tij, në rritjen e numrit të të regjistruarve si të papunë, ka ndikuar mungesa e liberalizmit të vizave.