Për tre muaj, më shumë se 300 kosovarë shkuan për shërim jashtë, shumica me kancer

Prishtinë | 02 Sht 2018 | 14:53 | Nga

Mungesa e barnave, aparaturave për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme e mosbesimi në institucionet publike shëndetësore janë vetëm disa nga arsyet që qytetarët e Kosovës detyrohen të marrin rrugë drejt shteteve evropiane për t’ia gjetur ilaçin vetes. Veç për tre muaj nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, janë shpenzuar afro 2.3 milion euro për shërim jashtë Kosovës. Përgjatë këtyre muajve, kërkesa për trajtim jashtë Kosovës kanë parashtruar 303 kosovarë, shkruan Gazeta Express.
Për çdo ditë në sheshet e qyteteve kosovare dëgjojmë thirrje për ndihmë për personat të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme, shërimi i të cilave fatkeqësisht nuk mund të bëhet në Kosovë. Shteti nuk po arrin që pacientëve të cilët vuajnë nga leukemia e sëmundjet e tjera malinje, t’ua sigurojë shërimin brenda institucioneve shëndetësore kosovare. Vetëm për tre muajt e fundit, janë më shumë se 300 pacientë që janë dërguar për shërim jashtë shtetit. Shumica e tyre me sëmundje të kancerit.

Thirrje për ndihmë se fundi po kërkon edhe 29 vjeçari, Besnik Ukaj. Atij i duhen plot 100 mijë euro për trajtimin e sëmundjes së Leukemisë Mieloide. Shumë kjo e cila është e papërballueshme për Besnikun dhe familjen e tij. Andaj të njëjtit tash e disa ditë kanë shtrirë dorën për ndihmë.

Besnikut i duhet ndërhyrje urgjente për t’i shpëtuar kësaj sëmundjeje.

Ndihmë po kërkon edhe 26-vjecarja nga Drenasi, Drenushë Demaj. Ajo po vuan nga një sëmundje e rrallë e enëve të gjakut e njohur si “Epithelioid hemangioendothelioma”, trajtimi i së cilës nuk mund të kryhet në Kosovë. Drenushës i duhen plotë 250 mijë euro për t’u ballafaquar me këtë sëmundje të rrallë e cila nuk kryhet në Kosovë.Ajo po e kërkon ndihmën e njerëzve vullnetmirë për ta mposhtur këtë sëmundje. E rast të njëjtë, ku shërimi nuk mund të bëhet në Kosovë, e kanë pasur edhe qindra kosovarë të tjerë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë vetëm për tre muajt e fundit të këtij vitit rreth 303 kosovarë kanë trokitur në dyert e ministrisë për ndihmë financiare për shërim jashtë Kosovës.

Shumica nga këta persona kanë kërkuar shërim për sëmundjet malinje, trajtimi i së cilave ka kosto mjaftë të rëndë. Sipas zyrtarëve të divizionit për komunikim në Ministrinë e Shëndetësisë, për mjekimin e këtyre sëmundjeve nga buxheti i shtetit veç për tre muajt e fundit janë shpenzuar 250 milion euro.

Shërim jashtë vendit po kërkojnë edhe shumë fëmijë kosovarë, të cilët po lindin me anomali të ndryshme të zemrës. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë nga buxheti i kësaj të fundit për fëmijët për çdo vit ndahen 1.2 milionë euro.

Por, nga Ministria e Shëndetësisë deklarojnë se numri i qytetarëve që kanë kërkuar shërim jashtë vendit është më i ulët krahasuar me vitet e kaluara. Albatrit Matoshi, këshilltar politik i ministrit Uran Ismaili thotë se këtë vit janë shpenzuar 3.5 milionë euro për blerjen e pajisjeve të reja për QKUK’në

“Këtë vit kemi nda 3.5 milion euro për blerjen e pajisjeve të reja. Po e ri-funksionalizojme shërbimet e munguara prej vitesh në QKUK dhe qytetarët tanë tan po i trajtojmë në vendin tonë. Rasti më konkret deri më sot, sa i përket kësaj çështjeje, është klinika e kardiokirurgjisë ku tani kryhen të gjitha shërbimet pa pasur nevojë për pritje dhe shpenzime të mijëra eurove apo dërgimi jashtë vendit për qytetarët tanë për shërim. Ky është vizioni i së armësh që të krijojmë një sektor shëndetësor pa lista të pritjes. Po krijojmë shërbime në institucione publike shëndetësore duke ruajtur xhepin e qytetarëve por edhe të shtetit”, ka thënë Matoshi.

Megjithëkëtë, sipas zyrtarëve shëndetësore, ndërtimi i spitalit pediatrik dhe atij të Kirurgjisë së fëmijëve sipas zyrtarëve të MSH’së pritet që t’i zbusë kërkesat për shërim jashtë Kosovës.

‘Spitali që po ndërtohet në QKUK si donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe në vlerë prej 22 milionë eurove, është Spital Pediatrik dhe Spital i Kirurgjisë së Fëmijëve. Ky spital do të jetë modern, do të ketë 10.000 metra katrorë, 100 shtretër dhe pajisje të reja mjekësore dhe do t’i integrojë brenda vetes të gjitha shërbimet shëndetësore tretësore që ofrohen për fëmijë, pra edhe shërbimet e pediatrisë edhe të kirurgjisë së fëmijëve”, thonë zyrtarë të Ministrisë së shëndetësisë.

Përgjatë gjithë vitit 2017 afro 2 mijë kosovarë kanë kërkuar ndihmë financiare në Ministrinë e Shëndetësisë për trajtimin e sëmundjeve nga të cilat ata vuajnë. Shumica nga ta për sëmundjet e zemrës, oftalmologji, pediatri si dhe Ortopedi.

Por, pavarësisht kësaj, gjendja në shëndetësinë kosovarë vazhdon të jetë e dobët. Pacientët për çdo ditë ballafaqohen me trajtim të vështirë, mungesë të ilaçeve, qoftë edhe atyre të listës esenciale. Trajtimi edhe më i vështirë bëhet kur këta pacientë detyrohen të kërkojnë shërim jashtë vendit e u duhet që të presin para ambasadave të huaja për t’u pajisur me një vizë.

Megjithëkëtë, buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë, është rritu. Qeveria e Kosovës ka parashikuar që për vitin 2018, buxheti për shëndetësi nga 180 milionë, të rritet në 200 milionë euro.

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/per-tre-muaj-me-shume-se-300-kosovare-shkuan-per-sherim-jashte-shumica-me-kancer-572179/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme