Dhuna në familje po vazhdon të jetë çështje shqetësuese në Kosovë. Përgjatë tre muajve të parë të këtij viti, janë raportuar 342 raste të dhunës, ndërkaq krahasuar me vitin e kaluar numri i rasteve po shkon duke u rritur.
Një burrë nga Ferizaj, kishte shkaktuar dhunë fizike ndaj gruas së tij, vetëm pse ajo nuk kishte arritur t’i shërbejë çajin me kohë.
Në momentin kritik, gruaja ishte duke përgatitur mëngjesin për fëmijët, ndërkohë që ishte duke i shërbyer me çaj bashkëshortit të saj. Ai e kishte kapur gruan për flokë duke e goditur më pas për lavamani.
Por ky nuk është rasti i vetëm i dhunës në familje. Çdo ditë policia përmes raportit 24 orësh bën të ditur se ka pasur raportime për dhunë në familje.
Mosmarrëveshjet janë ato që çojnë deri te përleshja fizike ndërmjet familjarëve. Përveç burrave që godasin gratë e tyre, ka pasur shpesh edhe raste kur fëmijët janë përleshur fizikisht me prindërit. Nuk janë të pakta rastet kur familjarët i shkaktojnë njëri-tjetrit lëndime trupore, të cilat më pas trajtohen në qendra të mjekësisë familjare.
Sipas statistikave të policisë të siguruara nga Gazeta Express, gjatë tre muajve të parë të këtij viti kanë ndodhur gjithsej 342 raste të dhunës në familje.
Muaji gjatë të cilit janë shënuar më së shumti raste të dhunës sipas policisë është janari.
“Janar – 2019 janë: 123 raste te dhunës ne familje. Shkurt – 2019 janë: 104 raste te dhunës ne familje. Mars – 2019 janë: 115 raste te dhunës ne familje”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Këto shifra tregojnë se ka rritje të numrit të rasteve të dhunës në familje krahasuar me vitin e kaluar. Gjatë tre muajve të parë në vitin 2018 u shënuan 281 raste të dhunës në familje.
E rastet e dhunës në familje shpesh herë kanë përfunduar edhe me vrasje. Njëjtë i ndodhi Valbona Nrecajt nga Gjakova e cila u vra vitin e kaluar në korridorin e shtëpisë së familjes së saj nga bashkëshorti Pjetër Nrecaj. Përveç gruas, Pjetri qëlloi për vdekje edhe vajzën e tyre 7-vjeçare.
Ndaj tij së fundmi është shqiptuar masa e burgimit të përjetshëm. /Express