Për tre muaj u larguan 30 mijë tonë mbeturina, në pastrim u angazhuan 10% e qytetarëve

Prishtinë | 10 Jan 2019 | 12:17 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Për tre muaj sa ka zgjatur fushata “Ta pastrojmë Kosovën”, janë pastruar 900 deponi me 30 mijë tonë mbeturina. Në aksionin, i cili ka filluar me 15 shtator të vitit të kaluar, janë përfshirë 10% e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

Këto të dhëna u bënë publike në konferencën përmbyllëse të fushatës së organizuar nga “Let’s Do It Kosova”.

Kryeministri, Ramush Haradinaj tha se për tre muaj u punua për një Kosovë më të pastër.

Haradinaj shfajësoi popullin e Kosovës për këto 20 vite me mbeturina që janë hedhur, sepse tha se ka pasur emergjenca dhe probleme, si dhe rrethana shumë të rënda, mungesë të institucioneve dhe se kuptohet pse ka ardhur deri tek kjo gjendje.

“Unë kam filluar si aktivist me Luanin ka një kohë që ju kam bashkuar idesë të Ditës Botërore të Pastrimit, jam ndje mirë kur kemi mbledhë bërllok, dua ta shfajësoj Kosovën për 20 vite që kemi pas bërllok, kemi pas probleme e mungesë të institucioneve dhe kuptohet pse ka qenë kështu por tani nuk mundemi të pajtohemi që vitet tjera që vijnë me ndodh e njëjta gjë me hedh bërllok”, tha Haradinaj.

“Më vjen mirë që angazhimi ynë e ka dhënë një rezultat më të mirë dhe kemi një Kosovë të pastër dhe komunat e kanë rolin e vet dhe do vlerësohen dhe vitin që hymë do kemi kujdestarët”, tha ai.

Haradinaj tha se angazhimi i tyre disamujor ka dhënë rezultat dhe se sot është një Kosovë më e pastër dhe falënderoi me këtë rast komunat, që kanë dhënë një kontribut, por edhe angazhimin shembullorë të mijëra aktivistëve për një Kosovë më të pastër.

“Është e pamundur me vazhduar me mbajt Kosovën e pastër nëse vetëm hedhim mbeturina, duhet të fillojmë me vetëdijesimin e mobilizim, politikat dënuese kur hidhet bërllok dhe me i shpërblyer ata që e mbajnë vendin pastër dhe riciklim të mbeturinave. Ju lus të rrimë të mobilizuar për një Kosovë të pastër EKO, mund ta bëjmë të pastër unë jam i interesuar për këtë”, shtoi Haradinaj.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi tha se gjatë këtyre 3 muajve janë larguar 30 mijë tonë mbeturina dhe mbi 900 deponi ilegale.

“Janë mbi 30 mijë tonë mbeturina të larguar, mbi 900 deponi ilegale në Kosovë të larguar dhe ende nuk është mjaftueshëm pastër dhe duhet secili të punojmë për vendin e pastër në mënyrë që të jetojmë shëndetshëm”, tha Matoshi.

Matoshi, tha se nuk do të lejojnë që asnjë person i papërgjegjshëm të marrë të drejtën dhe ta dëmtojë ambientin që i takon të gjithëve.

“Nuk do lejojmë asnjë person të papërgjegjshëm ta dëmtoj ambientin që na takon secilit prej nesh, pres që në vitin 2019 të kemi zbatim të plotë për gjoba”.

Koordinatori i Iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën”, Luan Hasanaj, tha se për këtë nismë janë angazhuar të gjithë duke dhënë kontribut që Kosova të bëhet një vend më i mirë për të jetuar dhe një vend më aktiv në një shoqëri e cila angazhohet vetë që vendin ta bëjë më të mirë.

“Nga sot e tutje ne vazhdojmë me aktivitete të tjera dhe nevoja ta pastrojmë mjedisin nuk përmbyllet sot, siç nuk është përmbyllur as më 15 dhjetor. Së bashku me kryeministrin jem dakorduar  që në këtë vit do të angazhohen 1 mijë kujdestarë mjedisi të cilët do ta ndihmojnë edhe komunën edhe ndërmarrjen dhe të gjithë neve për një vend më të pastër”, tha Hasanaj.

“Jemi angazhuar të gjithë së bashku që Kosovën ta bëjmë një vend më të mirë për të jetuar dhe për në shoqëri që të angazhohet për një vend të mirë. E pamë një video që tregon entuziazëm dhe njerëz që me vullnet i largojnë mbeturinat, a mundet dikush me thënë që në këtë vend nuk mund të bëhen punë të mirë, tërë kjo energji tregon që kur ne tregojmë vullnet e atdhedashuri qytetarët përgjigjen”, tha ai.

Përfaqësuese e Let’s Do It World, Heidi Solba tha se dëshiron ta shoh Kosovën si udhëheqëse të Ditës së Pastrimit të Botës.

“Është ekip që ka arritur sukses fantastik, ka bërë fushatë të vetëdijesimit dhe pastrimit ku janë përfshirë mbi 10% e qytetarëve. Është mirë të shohim se si ky vend dhe ekipi i Let’s Do It Kosova po bashkëpunojnë me akter dhe me qeverinë”.

“…është shembull fantastik për botën të tregohet se si një lëvizje qytetare në bashkëpunim me qeverinë mund të arrij shifra kaq të larta në shkallë botërore”, tha Solba.

Ndërkaq, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Veliu tha se në shumë raste Asociacioni që ai drejton ka kërkuar që procesi i riciklimit të mbeturinave të nisë menjëherë, si një nevojë imediate për Kosovën.

“Komunat ishin akteri kryesor mes bashkëveprimit të qytetarëve dhe institucioneve në këtë aksion. Ne ishim në krye të aksionit me qëllim të krijojmë një mjedis të pastër për qytetarët tanë”.

“Kryetarët e Komunave kanë dëshmuar se aksionit e tilla janë për një jetë më të mirë për banorët e gjitha komunave dhe ky aksion krijon një imazh më të mirë për komunat tona”, tha ai.

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, tha se detyrë parësore e tyre është që të parandalojnë rrezikun për qytetarët.

“Për ne është me rëndësi që gjithçka që është e mirë për qytetarët ne me iu shërbye atyre. Detyrë parësore e jona është të parandalojmë rrezikun për qytetarë dhe ne duhet të vazhdojmë dhe gjitha institucionet duhet të jenë pjesë e kësaj sepse është e mirë për gjithë neve”, shtoi Rama.

Task Forca për Pastrimin e Kosovës, për tre muaj aktivitet ka arritur që të themelojë 32 Task Forca Komunale, të pastroj 952 deponi ilegale duke i angazhuar rreth 200 mijë vullnetarë në gjithë vendin, ka krijuar 11 zona të gjelbëruara derisa shumë të tjera janë në proces.

Po me këtë nismë, në vitin që kemi hyrë do të pastrohen edhe lumenjtë e Kosovës, do të shikohet mundësia që të angazhohen kujdestarë të mjedisit dhe mbledhja e fidanëve në gjithë vendin.

Pas aksionit, dhjetë komuna të Kosovës që janë treguar më efikase në eliminimin e mbeturinave, kanë fituar grant nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vlerë prej 1.2 milion euro, grant ky, që do të përdoret në projekte për mbrojtjen e ambientit për këto komuna.


https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/videos/994592134060086/

Të ngjashme