Është mbajtur takimi i radhës i Task-Forcës për pastrimin e Kosovës.
Ministritë e përfshira raportojnë për angazhimin në fushatën e pastrimit si dhe prezantohen të dhënat për rezultatet e arritura deri më tani.
Ministri i Mjedisit Fatmir Matoshi tha se janë në prag të përfundimit të aksionit të madh të pastrimit derisa përmendi disa nga rezultatet që kanë dal nga ky aksion.
Sipas Matoshit, po i afrohemi një tre mujori që kemi qenë prezent në të gjitha komunat e Kosovës në kuadër të këtij aksioni, sipas tij, mund të them që ka ia ka vlejtur ky mund e iniciativë që e kemi marr.
“Pjesëmarrja e kryeministrit në aksionet tona ka treguar edhe seriozitetin e Qeverisë. Kemi premtuar në fillim që do të hyjnë në fuqi gjobat mandatore dhe ka më shumë se një muaj që kanë hyrë ne fuqi. Ende po kemi vështirësi në disa komuna për zbatimin e udhëzimit administrative për gjobat mandatore. Ka filluar që të zbatohet ky udhëzim. Kemi premtuar që do të ndajmë një grand prej 1.2 milion euro grande për komunat që janë të suksesshme. Kemi përfunduar draftin final për strategjinë e menaxhimit të mbeturinave dhe kjo do të jetë ne Qeveri gjatë muajit dhjetor për aprovim. Po na mbetet sfide ruajtja e ambientit. Jemi në plan të shpërndarjes së 500 kontinierëve dhe shportave, sidomos në pjesët kufitare. Po vendosen dhe janë vendosur mbi 500 tabela ku po kërkohet që të mos hidhen mbeturina”, tha Matoshi.
Ndërsa Luan Hasanaj nga organizata “Let’s do it Kosova” tha se janë pastruar mbi 700 lokacione në gjithë Kosovën gjate aksionit tre mujor
“Deri me sot kemi arrit me i mbledh të dhënat për deponitë e Kosovës. Janë 707 lokacione që janë pastruar, janë mbi 30 mijë tonë të mbetjeve ndërtimore që janë larguar. Ka një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve që i janë bashku, me 15 shtator 100.000 vullnetarë i janë bashku iniciativës gjithandej vendit”, tha Hasanaj.
Sipas tij, aksionet janë ndërmarrë kryesisht ne vendet e banueshme mirëpo kanë mbet mbi 80 lokacione në brezin e rrugës të cilat nuk janë pastruar.
“Ne kemi kërkuar ndihmë edhe nga Ministria e Infrastrukturës. Kemi ende probleme në hapësirat përreth shkollave. Tre here e kemi pastruar hapësirën e kampusit universitar. Mbjellja e fidanëve nëpër hapësirat e shkollave ende nuk ka ndodhë por pritet që të ndodh në mars. Me 10 janar ta përmbyllim këtë fushatë me një konference ku do të mbledhim të gjithë akteret dhe besoj atëherë do të shpallen edhe komunat fituese”, u shpreh Hasanaj.
Në anën tjetër ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha tha se do ta mbështesin aksionet e tilla që janë në favor të ambientit
“Ne e kemi mbështet aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”. Përkundër shumë aktiviteteve dhe angazhimeve që kemi pas ne e kemi mbështet dhe e vlerësojmë punën qe është bërë dhe nëse është nevoja do ta mbështesim përsëri” tha ai.
Edhe për Ministrinë e Infrastrukturës, çdo aksion i tillë do të mbështetet. Sipas Rexhep Kadriut, zëvendësministër i Infrastrukturës tha se aksionet garantojnë një Kosovë të pastër, do të mbështeten.