Mos-auditimi i raporteve financiare vjetore që nga viti 2017 dhe atyre të fushatave zgjedhore të partive politike ka ndikuar negativisht në imazhin e shtetit të Kosovës. Kështu u tha në tryezën e diskutimit me temën “Raportet e audituara të partive politike në Kosovë, organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), raporton Ekonomia Online.
Shkak i mos-auditimit të subjekteve politike është bërë dështimi disa herë i tenderit për kompaninë që do të kryejë auditimin.
Lirika Agusholli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, tha se në çdo raport të progresit tash e tri vite është përmendur mos-auditimi i raporteve financiare të partive politike.
“Çdo vit komisioni për mbikëqyrjen e financave publike kishte hapur tenderin për auditor për këto raporte financiare, po nuk ka pasur aplikim nga ana e auditorëve, e shkaku kryesor ka qene shuma e vogël e ndare për auditorin në krahasim me vëllimin e punës. Por ne qershor te këtij viti, ne konkursin e tretë të hapur nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka aplikuar një auditor, për të audituar raporte financiare të partive politike për vitet 2018-19-20 si dhe te fushatës zgjedhore të tetorit 2019 dhe zgjedhjeve lokale në Podujeve dhe në Mitrovicë të veriut. Shuma që ky auditor ka marrë është 108 mije euro”, tha ajo.
Tutje, Agusholli ka thënë se auditori ka mohuar opinionin për raportet financiare të disa subjekteve politike, me ç’rast shpërfaq tendencën e partive politike për t’i fshehur burimet financiare, raporton EO
“Fatkeqësisht rezultatet e auditorit shpërfaqin një mungesë transparence dhe llogaridhënie. Fillimisht duhet të ceket se auditori ka mohuar opinionin për raportet financiare te disa subjekteve politike. Mohimi i opinionit rrjedh për shkak se SP nuk ka qenë në gjendje të sigurojë evidencën e nevojshme të auditimit për të pasur një bazë për një opinion. Me saktësisht, në raportet financiare të vitit 2020, nga 18 raporte në total, 9 prej tyre iu është mohuar opinioni; në raportet e vitit 2019 nga 22 raporte, 12 prej tyre iu është mohuar opinioni; në raportet e vitit 2018 nga 23 raporte të SP 14 prej tyre iu është mohuar opinioni”.
“Ndërsa për raporte financiare të fushatës zgjedhore te vitit 2019 nga 16 raporte te dorëzuara, 6 prej tyre iu është mohuar opinioni. Ky fakt vazhdon te jete tejet shqetësues sepse shpërfaq tendencën e partive politike për ti fshehur burimet financiare”, tha tutje ajo.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se mungesa e buxhetit për ta kontraktuar auditorin kanë mbetur 3 vite subjektet politike pa u audituar.
Ndërkaq, thotë se me rritjen e këtij buxheti, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka kontraktuar një kompani që do ta bëjë auditimin e partive politike në vend.
“Është sfiduese puna në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, sa i përket kësaj pike dhe ne duke i parë vështirësitë janë hasur edhe në legjislaturat e kaluara, ku tenderi ka dështuar disa herë, ku në fund të auditimit kemi dhënë disa rekomandime të cilat nuk përkojnë krejt me se çfarë ka në draft-ligjin për financim të subjekteve politike, mirëpo ne si anëtarë të këtij Komisioni, kemi menduar se në masë të madhe do ta përmirësonte këtë fushë”.
“Nuk mendoj se ka munguar vullneti i Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në fakt të vetmen kompetencë që e kemi është marrja e vendimit me shpallë tenderin, termat e referencës janë komplet të përcaktuara në ligj, dhe kjo ka ndodhur vit pas viti, mirëpo shuma buxhetore që ka qenë e caktuar këto vite, ka qenë e pamjaftueshme dhe siç duket kërkesa është më e madhe sesa oferta në tregun tonë, ata punojnë për kompanitë private dhe nuk ka qenë asnjëherë atraktive. Kësaj here ishim me fat dhe pas rritjes së buxhetit për këtë qëllim, ku për këtë vit është 109 mijë euro, dhe e kontraktuam një kompani”.
“Besoj se nëse do të kishim auditim vit pas viti, do të kishim përmirësim të dukshëm sa i përket raportimit financiar të subjekteve politike, e sidomos mjetet që i marrin nga buxheti i Kosovës, sepse edhe Komisioni por edhe Shoqëria Civile do t’iu kishit bërë presion publik për të gjeturat”, tha Bajrami.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, theksoi se Zyra Kombëtare e Auditimit do të ishte më kompetente për auditimin e raporteve financiare të partive politike.
“Edhe pse për këtë nuk ka vendim definitiv, por për ketë do të duhej të shihen edhe storie te suksesit. Sa i përket draft ligjit për financimin e partive politike jemi në favor të ndryshimit të këtij ligji, që do ta adresonte çështjen e transparencës së partive politike”.
Ndërsa Ylli Buleshkaj, nga Zyra për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike, theksoi se raportet financiare të partive politike dorëzohen njëherë te kjo zyrë në kuadër të KQZ-së, dhe pastaj procedohen tek komisioni.
Ai shtoi se të gjeturat janë shqetësuese dhe më shqetësues është fakti i mohimit të opinionit për disa parti politike.