BE: Për ushtrinë duhet siguruar pajtimi i të gjitha komuniteteve

Prishtinë | 08 Qer 2017 | 11:20 | Nga

Partitë politike gjatë fushatës elektorale kanë premtuar qytetarët se Kosova do të jetë e sigurt më ushtrinë e saj. Liderët e partive politike, në programet e tyre qeverisëse nuk kanë lënë pa e përmendur se demarkacioni dhe ushtria do të jenë çështje të cilat me marrjen e mandatit do të fillojë realizimi i tyre. Kandidati për kryeministër nga koalicioni “PAN” , Ramush Haradinaj, ka premtuar qe brenda 3 muajve, do të themelojnë ushtrinë e Kosovës. Edhe lideri i VV-së, Albin Kurti, kandidat për kryeministër, ka premtuar se ushtria është një nder prioritet kryesore të tij.

Mirëpo, zëdhënësja e Komisionit Evropian,Maja Kocijançiq, për Indeksonline ka thënë se BE po përcjellë nga afër çështjen e transformimit të FSK-së në ushtri dhe se paralajmëron që ky proces duhet të përfshijë pëlqimin e të gjitha komuniteteve në Kosovë, duke përfshirë edhe komunitetin serb.

“BE po ndjek çështjen e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga afër. BE ndan pikëpamjet e NATO-s dhe SHBA-ve për këtë çështje. Ky transformim duhet të bëhet në një proces gjithëpërfshirës dhe multietnik duke siguruar pajtimin e të gjitha komuniteteve në Kosovë” thuhet në përgjigjen e Kociajançic.

BE po ashtu ka paralajmëruar edhe njëherë se ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit duhet të jenë prioritet i menjëhershëm i çdo qeverie të re. Sipas tyre, kjo është kushti kryesor që BE të jep dritën e gjelbër lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës, të vetmit në Ballkan të izoluar ende.

“Komisioni i njeh përpjekjet që Kosova ka bërë për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Siç është paraparë në propozimin legjislativ të Komisionit të majit 2016, ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është një kërkesë për liberalizimin e vizave. Është shumë e rëndësishme që ky proces të përfundohet në mënyrë që Komisioni të japë dritën e gjelbër për bashkë-ligjvënësit” thuhet në përgjigjen e BE-së për Indeksonline.

Tash kur Kosova është në prag të zgjedhjeve parlamentare, BE ka bërë thirrje liderve politik që të sigurojnë që zgjedhjet të jenë në përputhje me standardet demokratike, derisa janë shprehur se këto të fundit po zhvillohen në një kohë kritike për Kosovën dhe reformat e saj lidhur me BE.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme