Ambasada e Zvicrës në Kosovë i ka quajtur spekulime informacionet se shteti helvetik ka ndërprerë investimet në Mitrovicën e Veriut, “pasi që nuk dëshiron të shpenzojë mjete në një territor që diskutohet se do t’i bashkëngjitet një shteti tjetër, në këtë rast Serbisë”.
Në një përgjigje për KOHËN, ambasada e Zvicrës ka thënë po ashtu se spekulimet për ndryshimin e kufijve të Kosovës nuk merren parasysh për projektet e saja.
Në përgjigjen e ambasadës zvicerane të cilën e kanë dhënë thuhet se diskutimi për kufijtë e Kosovës është i pavlefshëm.
“Shteti i Zvicrës implementon projektet e saj në Kosovë me partnerët e saj serioz duke u bazuar në marrëveshjet dhe rregullat. Sovraniteti i Kosovës dhe integriteti i saj territorial është i padiskutueshëm. Spekulimet për shkëmbim të territorit, lëvizje të kufirit etj, nuk kanë fuqi ligjore dhe nuk mund të merren parasysh për zbatimin e projekteve tona”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.