Përçarjet në Listën Serbe (LS) kanë komplikuar edhe punën e komunikimit të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës në raport me komunitetin që ky subjekt politik përfaqëson. Kjo për shkakun se tani janë dy adresa komunikimi që ndodhen në armiqësi me njëra-tjetrën.
Njëra përfaqësohet nga ish-ministri Aleksandër Jablanoviq e tjetra nga shefi i grupit parlamentar të LS-së, Slavko Simiq.
Burime të gazetës kanë thënë të hënën se kjo situatë e re e krijuar në subjektin kryesor politik të serbëve të Kosovës ka vështirësuar edhe çështjen e bashkëpunimit, edhe ashtu të brishtë.
Situatën më shumë e ka komplikuar fakti se krahu i Simiqit ka shprehur pretendimin se me ndërhyrjen e politikës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) synon ta rikthejë Jablanoviqin në krye të LS-së. Dhe, ish-ministri është duke u prezantuar si njeri që ka mbështetjen e shqiptarëve.(Koha Ditore)