“Mediat janë ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
Kjo fjali, në lexim të parë, për shumë kë mund të duket thjesht një fjali më shumë.
Por, për ekspertët e komunikimit, kjo thotë shumë. Përveçse thotë shumë, edhe nxitë shumë. Nxitë shumë urrejtje e shumë mllef ndaj gazetarëve dhe medieve në përgjithësi.
Nxitja shumëfishohet kur një fjali e tillë, e plot të tjera të ngjashme, vijnë nga zyrtarë të lartë shtetërorë ose nga persona shumë të afërt me ta.
Nxitja shumëfishohet kur kësaj i’a shtojmë edhe informacionin tjetër, se njerëzit që udhëheqin me shtetin aktualisht, janë votuar nga çdo i dyti qytetar mbi 18 vjeç, e që e ka shfrytëzuar të drejtën për të votuar në zgjedhjet e fundit të mbajtuara në Kosovë.
Për ta thjeshtësuar, nëse bashkëshorti i Presidentes, ose shefi i kabinetit të Kryeministrit, gazetarët dhe mediet në përgjithësi i quajnë “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”, në mënyrë direkte, një mendim të tillë e nxisin te votuesit e Osmanit e Kurtit.
Një gjuhë e tillë e urrejtjes, e cila e ka rritur dozën e përdorimit nga viti në vit, ka krijuar një ambient aspak miqësor për gazetarët. Për t’a vërtetuar këtë, mjafton të lexohen komentet e shumta në reagimet e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës ndaj gjuhës së tillë fyese, denigruese e urrejtje-nxitëse. Gazetarët, janë vetëm një shëmbull se si ndikon gjuha e urrejtjes e përdorur nga persona të pushtetshëm.
Por, nga ajo nuk janë ‘imun’ as kategori të tjera të shoqërisë. Në shumë raste, me gjuhë të tillë atakohen gratë, komunitetet, kundërshtarët politik, ose kundërshtarët e grupeve të ndryshme të interesit.
Kujtojmë fjalimin e fundvitit të Presidentes Vjosa Osmani, ku vetë ajo në fjalimin më të rëndësishëm, zgjodhi të tregoj se sa e bullizuar ka qenë për peshën e saj. E në po këtë ditë, dhe nga foltorja e Kuvendit, fjali bullizuese e urrejtje-nxitëse, në adresë të Presidentes tha edhe deputetje, që shpeshherë ka qenë vet viktimë e sulmeve të tilla. Deputetja Ganimete Musliu, i tha Presidentes Vjosa Osmani, që do të mbahet mend vetëm për një fakt: “që hyri në Presidencë me 100 kilogram dhe do të dal me 50”.
Gjuha e tillë u bartë me automatizëm te përkrahësit e të dyja ‘kampeve’, të cilët e vazhduan ‘luftën’ në mediet sociale dhe jo vetëm. Një rast tjetër që ka shkaktuar përplasje të ashpër është edhe gjuha e urrejtjes e përdorur nga politikanët në adresë të komunitetit LGBTIQ. Votuesit jo gjithmonë duan ‘të lodhen’ e të zhvillojnë një mendim kritik, për cështje të ndryshme shoqërore. Ata thjesht e përcjellin dhe ndikohen nga diskursi që përdorin të zgjedhurit e tyre, të cilët i përfaqësojnë në Kuvend apo institucione të tjera.
Prandaj, iu pëlqeu apo jo, politikanët duhet të jenë shumë të kujdesshëm në ndërtimin e fjalive, në diskursin që përdorin për situata të ndryshme, e në krijimin e narrativave, edhe në ‘luftën’ me kundërshtarët e tyre politk. Ndërkohë, rol shumë të rëndësishëm, në (mos) kultivimin e kësaj gjuhe, luajnë mediat. Mënyra se si ndërtohet lajmi, duke nisur nga titulli i tij, është tejet domethënëse në këtë cështje. P.sh. nëse citati vendoset në titull, dhe i njëjti ka përmbajtje të urrejtjes (shih fjalinë e parë të këtij shkrimi), përkundër faktit që ai mund të jetë me thonjëza, jo të gjithë e kuptojnë domethënien e kësaj mënyre të të shkruarit, dhe jo të gjithë janë në gjendje të bëjnë dallimin, se ky nuk është një argument, por është një deklarim i dikujt. Shto këtu faktin, që sipas hulumtimeve, ka shumë lexues, që nuk shkojnë përtej titullit, dhe gjithë gjykimin e tyre e krijojnë thjesht duke lexuar titullin e një artikulli.