Përdorimi i substancave narkotike nga të rinjtë në rritje, u arrestuan 906 persona

Prishtinë | 26 Qer 2018 | 15:46 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Përdorimi i lëndëve narkotike nga të rinjtë është shndërruar në kërcënim serioz, prandaj edhe institucionet duhet të intensifikojnë veprimet në luftimin e kësaj dukuria sidomos në ngritjen e vetëdijes, raporton Ekonomia Online.

Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në bashkëpunim me NDI-në, ka mbajtur tryezën “Përdorimi i substancave narkotike nga fëmijët në Kosovë”, ku bënë publike të dhënat e përdorimit të përdorimit të substancave narkotike.

Arbesa Neziri nga Grupi Punues i Akademisë së Grave për Lidership 2018, tha se numri i përdorueseve të substancave narkotike është i madh dhe në rritje. Mosha mesatare të përdorueseve të drogës brenda dy viteve të fundit është rritur nga 22 vjeç në 16 vjeç.

Neziri tha se në Kosovë janë duke hyrë droga të reja në treg të cilat përdoren nga të rinjtë dhe nuk janë të vetëdijshëm se çka janë duke konsumuar.

Neziri tha se nga sasia e drogës që hyn, vetëm 10% i dedikohet tregut vendor dhe kjo përqindje ka shënuar rritje në vitin 2017.

Veç në muajt e parë të 2018, 906 persona janë arrestuar si të dyshuar për përdorimin narkotike dhe janë kapur rreth 500 kilogramë të substancave narkotike.

“Në reparte psikiatrike mungon ekspertiza dhe programet për të trajtuar këto raste, Kosova nuk ka qendër rehabilituese për personat e varur nga drogat edhe pse janë paraparë 200 mijë për një qendër rehabilituese”, tha Neziri.

“Në mungesë të psikologëve vetëdijesimi i të rinjve me abuzim të drogave është mbuluar deri më tani nga organizata joqeveritare dhe duhet të bëhet një fushatë gjithëpërfshirëse në luftën e parandalimit të substancave dhe duhet një bashkëpunim i ngushtë mes institucioneve kompetente, prindërit, organizatat e shoqërisë civile etj”, tha Neziri.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari tha se problemi më i madh në Kosovë është mungesa e qendrës rehabilituese për personat të cilët janë të prekur nga ky fenomen.

“Shqetësimi mbetet në zbatimin e ligjit, nuk ka qendër të trajtimit në Kosovë dhe çfarëdo veprimi i më tutje do të ishte i pakuptimtë kur nuk ka një mekanizëm i cili merret me këtë problem”.

“Situata oshtë brengosëse dhe është moment i fundit që akterët e këtij vendi të ulen dhe përfundimisht të punojnë për ketë fenomen të fillohet me programe urgjente të parandalimit”.

Jashari shtoi se qendrat për punë sociale nuk kanë kapacitete dhe me këtë kapacitet që kanë nuk mund të përballen me këtë problem.

Minavere Behluli nga MAShT tha se iu është dhënë hapësirë mësuesve nuk të flasin para nxënësve temat e ndryshme ngjashëm si për substancat narkotike që të përmbushen rezultatet që janë të parapara në kurrikula.

Ajo tha se janë të vetëdijshëm që ka numër të vogël të psikologëve, por sipas saj, nuk mundet psikologu të bëj parandalimin e këtij fenomeni.

“I kemi trajnuar një numër të madh të mësueseve që mund të identifikojnë nxënësit nëse janë përdorues të këtyre substancave”.

Kryetarja e komisionit, Besa Baftiu tha se më së shumti të rinjtë në shkolla fillore dhe të mesme janë të rrezikuar nga përdorimi i drogës dhe nga pasojat që përcjell përdorimi i këtyre substancave.

“Të dhënat nga raportet e organizatave vendore dhe ndërkombëtare dhe përfshirë edhe raportin e avokatit të popullit tregojnë se abuzimi me substanca narkotike është në rritje dhe po ashtu numri me i madh është tek mosha e re”, tha Baftiu.

Anëtarja e komisionit, Fatmire Kollçaku tha se problemi më i madh qëndron që ka mungesë të qendrës rehabilituese për personat të cilët janë të varur nga këto substanca dhe tek mungesa e informimit.

“Është problem shqetësues dhe në rritje dhe besoj që ne si deputetë e kemi për obligim miratimin e ligjit por edhe zbatimin e saj”.

“Duhet të iu ofrohemi të rinjve aty ku ata kanë më së shumti qasje shembull në internet dhe duhet të i ofrojmë informatën e me sporte të sponsorizuara pasi qe ata më së shumti aty mund të informohen rreh këtij fenomeni. Në Kosovë nuk e kemi një qendër aktuale edhe ose janë ndarë 200 mijë euro, por Qeveria nuk e ka paraqitu një program të qartë për shfrytëzimin e atyre fondeve”.

Anëtarja e komisionit, Time Kadrija tha se është numër shumë i madh i të vdekurve nga mbidoza dhe vetëm një tryezë është e pamjaftueshme për të bërë ndalimin e këtij fenomeni.

“Numri i madh i personave të vdekur prej 86 personave për mbidozë ky numër është dashtë me na mobilizua të gjithëve dhe suke filluar nga këto tryeza duhet të fillojmë më tutje në sensibilizimin e të rinjve dhe të mos ndalemi vetëm me këtë tryezë pasi që është e pamjaftueshme”.

Të ngjashme