Presidentët Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiq tashmë e kanë siguruar mbështetjen publike të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për të mbërritur çfarëdo marrëveshjeje në fazën përmbyllëse të dialogut, qoftë edhe nëse me të “korrigjohen” kufijtë ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Megjithëkëtë, vendet kryesore të Bashkimit Evropian këmbëngulin se kufijtë nuk mund të preken, shkruan sot “Koha Ditore”.
Është John Bolton, këshilltar për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, ai që të premten ka theksuar se shteti që përfaqëson mbështet çfarëdo zgjidhjeje për të cilën palët pajtohen.
“Unë mendoj se ka shenja të reja se të dyja Qeveritë mund të kenë vullnet për të negociuar këtë çështje në heshtje. Politika jonë, politika amerikane është që, nëse të dyja palët mund të punojnë me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje, ne nuk i përjashtojmë korrigjimet territoriale. Nuk na takon neve”, ka deklaruar Bolton, gjatë një adresimi para gazetarëve në Kiev të Ukrainës.
“Nuk do të jemi pengesë, dhe nuk mendoj se dikush në Evropë do të qëndrojë në mes, nëse të dyja palët në konflikt arrijnë një marrëveshje të kënaqshme”.