Superliga Evropiane nuk ka vdekur dhe klubet e saj nuk kanë hequr dorë nga ideja e garës së shkëputur, megjithëse u detyruan ta pezullonin atë vetëm pak ditë pasi njoftuan krijimin e saj, ka thënë presidenti Real Madridit, Florentino Perez.
Perez, i cili do të kishte qenë kryetar themelues i kësaj lige, tha se klubet që qëndrojnë prapa Superligës do të vazhdojnë të punojnë për ta jetësuar atë, edhe në qoftë se do të detyrohen të bëjnë ndryshime në formatin e saj, transmeton Gazeta Express.
Në një intervistë për një radio spanjolle të mërkurën pasmesnatës, presidenti i Real Madridit tha se grupi themelues i Superligës është i hapur për të biseduar me UEFA-n për idetë rreth saj, si dhe me organe të tjera për ta ndihmuar futbollin në kohë pandemie.
Perezi u shpreh i bindur se një garë shumë e ngjashme do të krijohet shumë shpejt.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë. Ne po kërkojmë të gjejmë mënyra sesi ta kryejmë këtë punë. Do të ishte shumë keq nëse nuk arrijmë ta bëjmë”, tha Perez.
Superliga u njoftua të dielën por dështoi menjëherë pasi gjashtë klubet angleze të përfshira në projekt u tërhoqën të martën, pas kritikave dhe protestave nga tifozët e vet dhe pas paralajmërimeve nga qeveria britanike.
Të mërkurën, Atletico Madridi dhe tri klubet Italiane, Inter, Milan dhe Juventus, zgjodhën të largohen.
Mbeten vetëm Real Madridi dhe Barcelona ende zyrtarisht si pjesë e ligës së re. Perezi thotë se askush nuk është larguar vërtet, megjithatë.
“Ato nuk janë larguar. Ne ende jemi së bashku, duke menduar për mënyrat sesi ta jetësojmë këtë”, tha Perez.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe do të bisedojmë me të gjithë. Ne jemi të hapur për çdo gjë që është më e mira për futbollin”, shtoi ai.