Incidentet kontroverse për shkak të VAR-it (Video Assistant Referee) e kanë zemëruar presidentin e Real Madridit, aq sa ai nuk do të marrë pjesë në takimin e bordit drejtues të Federatës së Futbollit të Spanjës, që do të mbahen më 28 janar.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, është duke e shqyrtuar seriozisht edhe mundësinë e largimit nga ky bord, vetëm një muaj pasi u emërua në këtë pozitë nga presidenti i Federatës, Luis Rubiales.
Perezi e fillon punën në këtë pozitë të Federatës së Futbollit të Spanjës më 19 dhjetor të vitit të kaluar, pas disa viteve mungese për shkak të marrëdhënieve të këqija me ish-presidentin, Angel Maria Villar.
Rubiales arriti ta bindë Perezin t’i bashkohet bordit të drejtorëve, bashkë me presidentin e Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, presidentin e Atletico Madridit, Enrique Cerezo, dhe presidentin e Valladolidit, Ronaldo Nazarion.
Megjithatë, e përditshmja spanjolle, AS, raporton se për shkak të disa vendimeve të VAR-it gjatë ndeshjeve të fundit të Real Madridit, Perezi nuk do të marrë pjesë në takimin e radhës dhe se është duke e shqyrtuar mundësinë e largimit nga bordi i drejtorëve.
Incidenti i parë erdhi në ndeshjen e Real Madridit kundër Real Sociedadit, më 6 janar, kur Vinciusi u rrëzua pas ndërhyrjes së portierit kundërshtar, Geranimo Rulli. Përkundër insistimit të lojtarëve të Real Madridit, gjyqtari as nuk e akordoi penalltinë, as nuk kërkoi ndihmë nga VAR-i.
Incidenti i dytë ishte ai në ndeshjen kundër Real Betisit, kur VAR-i e vlerësoi golin e shënuar nga Canales si të rregullt. Megjithatë, pas përsëritjeve të shumta dhe fotografive të postuara në internet, shihet se Canales kishte qenë në fakt në pozitë jashtë loje.