Z.Kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ai sot së bashku me delegacionin shtetëror ka pritur në takim përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, John Erath dhe Brad Berkley.
Limaj tha se ai shprehi shqetësimin për sjelljen e shtetit serb, për ndërhyrjen e saj që po ia bën Kosovës.
Limaj ndër të tjerash njoftoi se përfaqësuesit e lartë nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë kanë dhënë përsëri një sinjal se Kosova duhet ta pezullojë taksën ndaj shtetit serb.
“Sot në zyrën e presidentit, ne si Delegacion Shtetëror për Bisedime me Serbinë, u takuam me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley.
Unë shfrytëzova rastin që dy zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë t’i njoftoj për punën e deritanishme të Delegacionit Shtetëror, për parapërgatitjet që po i bëjmë për dialogoun e mundshëm me Serbinë.
Njoftova për përgatitjen e platformës për bisedime e cila pas miratimit nga ana e institucioneve, është proceduar në Kuvend dhe shpresoj që Kuvendi i Kosovës të diskutojë dhe votojë këtë platformë e cila do ta paraqesë qëndrimin zyrtar të Kosovës në dialogun e ardhshëm me Serbinë.
Gjithashtu shpreha shqetësimin tonë për sjelljen e shtetit serb në raport me Kosovën, ndërhyrjen që çdo ditë Serbia i bën në Kosovë dhe ndaj qytetarëve të Kosovës, pengesat që i bën Kosovës dhe qytetarëve të saj. Përmendëm arsyet që na kanë detyruar ta marrim vendimin për taksën.
Përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, edhe njëherë paraqitën qëndrimin e njohur amerikan për pezullimin e taksës për t’i dhënë mundësi dialogut dhe përkushtimin e SHBA-ve për të parë sa më shpejt një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e cila do ta mbyllte njëherë e përgjithmonë konfliktin mes dy vendeve.
Shfrytëzova rastin për të thënë se vendimi për taksën ka qenë vendim shtetëror dhe tashmë është e qartë se ka këndvështrime të ndryshme rreth kësaj teme. I sigurova që po punojmë fuqishëm që institucionet e Kosovës rreth kësaj çështjeje të kenë një qëndrim unik i cili do t’i mundësonte edhe fillimin e dialogut, duke marrë parasysh këshillat e miqve tanë amerikanë.”