Deputeti i Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës, Danush Ademi dhe ai i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha kanë thënë se për ta nuk është e rëndësishme se kush do ta formojë Qeverinë e re.
Ata thonë se do ta mbështesin cilën do subjekt politik për formimin e Qeverisë së re, por duke u kërkuar plotësimin e disa kushteve.
Kryetari i Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës, Danush Ademi, i cili do të përfaqësoj zërin e komuniteti të tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës gjatë legjislaturës së re, ka thënë se do të votojë Ramush Haradinajn për kryeministër, duke përmendur edhe kërkesat e komunitetit të tij.
“Besoj që do ta votoj Ramush Haradinajn. Sikur të gjitha grupet parlamentare edhe ne do të kemi kushte. Kemi pasur takime më herët me Haradinaj. Kërkesat tona do të jenë si të gjitha komuniteteve tjera. Do të kërkojmë të mos jemi të diskriminuar”, ka deklaruar Ademi për ‘Gazetën Observer’.
Ademi thotë se do të përkrahin cilindo kandidat për kryeministër, sepse sipas tij, partia që ai udhëheq nuk ka kapacitet që të mbijetoj në opozitë.
Edhe kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha thotë se ata që sigurojnë mirëqenie për komunitetin që përfaqëson, do të kenë votën e partisë së tij.
“Ne presim që marrëveshja për qeverisje të ndryshoj gjendjen e komunitetit tonë, pra ne synojmë të hyjmë në një Qeveri e cila na mundëson me marrë përgjegjësi. Vota jonë është e lidhur kryekëput me programin e Qeverisë që do ta ketë ndaj neve, si komunitet. Ne ende nuk kemi pa asnjë program”, ka thënë Berisha.
Ai ka thënë se deri në këto momente ende nuk ka një vendim për kënd të votoj, por pret që nesër të zhvilloj një takim me Haradinajn e të dëgjoj ofertën nga ai.
“Deri në këtë moment vota jonë nuk është e konfirmuar”, ka theksuar Berisha. Berisha ka thënë se prej mandatarit për qeveri presin poste ministrore dhe realizim të premtimerve ndaj këtij komuniteti.
“Cilado Qeveri që na garanton mirëqenien e komuniteteve mbi bazën tre mujore ose gjatë mujore, ne do të bashkëpunojmë me te. Ne kemi qenë në disa grupe parlamentare dhe të gjitha që janë premtuar në të kaluarën për ne si komunitet nuk janë përmbushur asnjëherë” përfundoi ai.