Pritshmëritë për uljen e normave të interesit e kanë ulur Euriborin 12-mujor poshtë nivelit të 3%, për herë të parë që nga fundi i vitit 2022.
Sipas publikimit më të fundit të këtij treguesi, të datës 11 shtator, Euribori 12-mujor zbriti në 2.96%, niveli më i ulët në 20 muajt e fundit.
Ashtu siç pritej, Banka Qendrore Europiane vendosi të enjten uljen e mëtejshme të normave të interesit. Norma e depozitave ditore zbriti në 3.5%, ajo e operacioneve kryesore të rifinancimit në 3.65% dhe norma e kredisë ditore në 3.9%.
Duke qenë se në përgjithësi tregjet i paraprijnë lëvizjeve të ECB-së, rënia e ndjeshme e Euriborit nisi disa ditë më parë. Euribori 12-mujor ra poshtë kufirit të 3% qysh më datën 9 shtator.
Kjo ishte ulja e dytë e normave të interesit nga ECB-ja për këtë vit, pas uljes së mëparshme të ndërmarrë në muajin qershor.
Euribori, kryesisht ai me maturim 12-mujor, përdoret edhe nga bankat shqiptare si indikator benchmark për kreditë me norma të ndryshueshme interesi në monedhën euro. Lëvizjet e këtij treguesi prekin në këtë mënyrë edhe huamarrësit shqiptarë. Ulja e euriborit pritet të sjellë uljen e kësteve të kredisë me norma të ndryshueshme interesi në euro.
Në fakt, një tendencë e tillë ka filluar qysh në pjesën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit për portofolin e kredisë për blerje banesash në euro të individëve zbriti në 4.57%, nga 4.85% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.
Qysh prej vitit të kaluar, u vërejt një tendencë e dukshme e rënies së kreditimit në euro dhe e zhvendosjes drejt lekut. Kjo duket u nxit nga normat më të ulëta të interesit për kreditë në monedhën vendase. Madje, një pjesë e mirë e huamarrësve preferuan t’i konvertonin kreditë nga euro në lekë, edhe falë kursit të favorshëm të këmbimit.
Ulja e normave të interesit për euron mund ta bëjë përsëri gradualisht tërheqëse kredinë në monedhën europiane, por nga ana tjetër ngelet për t’u parë nëse Banka e Shqipërisë do të ndjekë të njëjtën rrugë.
Aktualisht, norma bazë për lekun (3%) ngelet ende në nivele më të ulëta krahasuar me euron. Banka e Shqipërisë ndoqi ECB-në dhe e uli normën bazë në muajin korrik, për herë të parë pas katër vjetësh. Inflacioni në Shqipëri ka zbritur në 2%, niveli më i ulët në tre vitet e fundit dhe poshtë objektivit prej 3% të Bankës Qendrore.
Rënia e inflacionit duket se krijon hapësirat për ulje të mëtejshme të normave të interesit, megjithatë nga ana tjetër Banka e Shqipërisë po përballet me dilemat e lidhura me rritjen shumë të shpejtë të kreditimit dhe një ulje e mëtejshme e normave mund të nxitë më tej kërkesën për kredi në ekonomi.
Ecuria e Euriborit, nga ana tjetër, ndikon edhe bilancet e bankave tregtare në Shqipëri. Rritja e ndjeshme e normave të interesit dhe Euriborit solli një rritje të ndjeshme të të ardhurave nga interesat në monedhën europiane.
Kjo rritje mbështeti në një masë të madhe fitimin rekord prej 28.5 miliardë lekësh të raportuar nga sektori bankar shqiptar për vitin 2023. Një rënie graduale e Euriborit gjatë këtij viti pritet të ulë interesat e aseteve në euro dhe të ardhurat e bankave nga interesat e instrumenteve në valutë të huaj. (Monitor)