Përforcohet përfaqësuesja e Kosovës

Prishtinë | 15 Tet 2016 | 12:10 | Nga

Kosova do të duket më ndryshe në vazhdim të kualifikimeve të Botërorit “Rusia 2018”. Përzgjedhësi Albert Bunjaki ka paralajmëruar përforcime që nga ndeshja e nëntorit me Turqinë. Kurse, nga janari në dispozicion të Përfaqësueses do të jenë edhe sulmuesit e rrezikshëm, Besart Berisha e Erton Fejzullahu. Bunjaki beson se pas disa ndryshimeve Kosova do të tregohet më e fortë shkruan sot Gazeta Zëri.

Humbjet nga Kroacia dhe Ukraina e kanë detyruar përzgjedhësin e Përfaqësueses së Kosovës Albert Bunjakin të mendojë për ndryshime, që nga ndeshja e nëntorit me Turqinë.

Trajneri kosovar tregon se Kosovës do t’i bashkohen gradualisht futbollistë të rinj, të cilët nuk kanë qenë pjesë e saj në të kaluarën. Njëri prej tyre është Atdhe Nuhiu, i cili do të jetë në dispozicion të tij nga ndeshja e ardhshme. Mirëpo, Bunjaki ka paralajmëruar edhe përforcime tjera.

“Atdhe Nuhiu do të na bashkohet nga ndeshja e nëntorit me Turqinë, ndërsa jemi duke e pritur përgjigjen nga FIFA edhe për Loret Sadikun. Enis Alushi do të kthehet nga lëndimi”, ka thënë fillimisht Bunjaki për “Zërin”.

Besarti e Ertoni vijnë në janar

Besart Berisha ishte emri më i përfolur i muajve të fundit. Jo po vjen, jo s’po vjen. Por, për ish-përfaqësuesin shqiptar, por edhe për sulmuesin tjetër të rrezikshëm Erton Fejzullahun, gjithçka sqaron trajneri kosovar.

“Prej janarit Besart Berisha do të jetë në dispozicion tonin, njëjtë edhe Erton Fejzullahu. Për shkak të largësisë ata nuk kanë mundur të na ndihmojnë në tri ndeshjet e para”, shton Bunjaki.

Gjithashtu, Bunjaki ka zbuluar se shumë shpejt do t’i ketë në dispozicion edhe futbollistët, Ibrahim Vojvoda dhe Benjamin Kololli, por që nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen e afërt të dalë në skenë edhe ndonjë futbollist tjetër i ri.

Turqia, kundërshtar i vështirë

Bunjaki i ka lënë prapa krahëve humbjet e fundit dhe po shikon përpara. Ai po mendon se si t’i rezistojë kundërshtarit të radhës, Turqisë, edhe pse është i vetëdijshëm se një gjë e tillë nuk do të jetë aspak e lehtë.

“Ne jemi në grupin më të vështirë të mundshëm. Duhet ta shikojmë gjendjen momentale të lojtarëve, do të luajmë edhe me një kundërshtar të fortë, nuk do ta kemi aspak të lehtë. Në dy ndeshjet e fundit nuk kemi pasur fat, pasi kemi mundur ta merrnim një pikë. Në përgjithësi, më kanë kënaqur performancat e ekipit, e kemi një skuadër që po piqet. Mos ta harrojmë se kemi pasur lojtarë që kurrë më parë nuk kanë qenë me ne si Muriqi, Zeneli, Shala e Meha”, vazhdoi Bunjaki.

Atë e brengos goxha shumë edhe fakti se Kosova po duhet që ndeshjet si vendës t’i luajë jashtë territorit të saj, për shkak të mungesës së një stadiumit adekuat.

“Do t’i zhvillojmë pesë lojë jashtë Kosovës. Nuk është e lehtë të luajmë jashtë, ndryshe do të ishte në Prishtinë e Mitrovicë dhe ndryshe jashtë vendit. Po është ngarkesë fizike. Sidoqoftë, duhet ta vazhdojmë procesin e punës”, nënvizoi ai.

Sipas Bunjakit, objektivat e ekipit verdhekaltër në këto eliminatore janë që të mundohet të befasojë dhe të komponohet gradualisht. Ai është shumë i sigurt se Kosova do të ngrihet në renditjen e FIFA-s në fund të eliminatoreve për Botëror.

Bunjaki thotë se e ka një skuadër mesatare 21-22 vjet dhe insiston se ka elemente të mirë në të, duke shtuar se skuadra ka përparuar më shpejt se që ka menduar. Eksperiencën në kualifikimet e “Rusia 2018” e sheh si mundësi të pjekurisë, derisa fokusi i tij është Evropiani, ku beson se do ta kualifikojë Kosovën. Deri atëherë, ai i këshillon të gjithë të mos bëjnë presion, të kenë durim dhe t’i lënë djelmoshat e Përfaqësueses të punojnë të qetë./Zëri/

Image

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme