Dogana pret të kalojë 1 miliard €

Prishtinë | 24 Sht 2016 | 16:03 | Nga

Dogana e Kosovës njofton se deri më tani ka arkëtuar 746 milionë euro për buxhetin e Kosovës. Kjo është 14 % më shumë se viti 2015.

Sipas projeksioneve buxhetore për vitin 2016,  Dogana për këtë vit duhet të mbledhë 1 miliard e 40 milion euro.

Sipas trendit momental, Dogana pret që të tejkalojë këto projeksione. “Kjo rritje e të hyrave bëhet edhe më domethënëse kur dihet fakti se gjatë këtij viti kemi pasur ndryshime në politikat fiskale si dhe ka filluar marrëveshja e stabilizim asocimit që kanë reflektuar direkt në të hyrat e mbledhura nga Dogana”, thueht në një komunikatë të Doganës.

“Si rezultat i MSA-së, duke filluar nga 1 prilli i këtij viti, kemi liruar mallra me vlerë të  taksës doganore prej 13 milionë euro, pra efekti kryesor ishte në taksën e Doganës por edhe në mbledhje e TVSH-së.  Derisa shtyrja e TVSH-së nga kufiri në brendi të vendit për lëndën e parë, pajisjeve prodhuese dhe teknologjinë informative kanë ndikuar direkt uljen e mbledhjes së TVSH-së me total prej 15 milionë euro më pak”.

Përkundër këtyre ndryshimeve fiskale të cilat janë të përmbledhura në tabelën në vazhdim, Dogana thekson se “puna e palodhshme e oficerëve doganorë” ka sjellë të hyra më shumë për 89,1  milionë euro.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës. Lulzim Rafuna, citohet të ketë thënë se “reforma e suksesshme e zbatuar në doganë gjatë viteve të fundit ka arritur të  prodhon të hyra të cilat janë si rezultat direkt i uljes së informalitetit nga angazhimi ynë në luftimin e kontrabandës dhe evazionit fiskal”.

“Dogana nuk do ta kishte këtë sukses pa asistencën e ambasadës së SHBA-ve dhe programeve të ndryshme të BE-së duke përfshirë EULEX të cilat kanë rritur nivelin e profesionalizmit të doganës, gjithsesi edhe lufta e palodhur kundër korrupsionit dhe rritja e besimit të qytetarëve që përmes informatave kanë ndikuar direkt në rritjen e performancës së Doganës, janë pjesë e suksesit të lartë shënuar. Ky vit do të jetë historik pasi deri në fund ne do të kalojmë për herë të parë shifrën prej 1 miliard euro të mbledhura”, ka shtuar Rafuna.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme