30 ditë paraburgim të dyshuarit për krime lufte Sinisha Spasiq

Prishtinë | 19 Gus 2025 | 14:16 | Nga Gzim Mujaj

Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi 30 ditë paraburgim Sinisha Spasiqit, i dyshuar për krime lufte në Vushtrri, raporton Ekonomia Online.

“S.S. dyshohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të uniformuar duke vepruar në grup si zyrtarë të mobilizuar rezervsit aktiv me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë ka marrë pjesë në vrasjen e civilëve të paarmatosur në Komunën e Vushtrrisë”, bëri të ditur gjykata.

Seanca gjyqësore u mbajt gjatë ditës në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Sinisha Spasiq u arrestua të dielën në pikën kufitare në Merdar, nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

Sipas njoftimeve nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ai dyshohet për përfshirje në krime të kryera më 6 prill 1999 në komunën e Vushtrrisë, në rajonin e Mitrovicës.

Autoritetet kanë bërë të ditur se Spasiq ka shërbyer si rezervist aktiv në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP). Hetimet po zhvillohen nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.

Sipas Prokurorisë, ai ishte i përfshirë në një kallëzim penal të dorëzuar më 22 qershor 2022, që lidhet me masakrat ndaj shqiptarëve në zonën e Vushtrrisë.

Të ngjashme