Përfundojnë takimet tradicionale të krijuesve nga mërgata dhe diaspora

Prishtinë | 08 Gus 2019 | 14:24 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të edicionit të gjashtë “Takime tradicionale të krijuesve nga mërgata dhe diaspora” të organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, janë promovuar afro 20 libra shqip, të shkrimtarëve që jetojnë dhe veprojnë në diasporë.

Në hapjen e punimeve të këtij aktiviteti, Muhamet Selmani këshilltar politik i ministrit Dardan Gashi, tha se Ministria e Diasporës e mbështet që disa vite rresht këtë aktivitet, pikërisht ngase e çmon lartë punën dhe kontibutin që këta shkrimtarë japin për letrat shqipe.

“Jemi mbledhur sot në këtë aktivitet qe tashmë është tradicional, e të cilin Ministria e Diasporës e mbështet me kënaqësi. Është aktivitet i veçantë në të cilën mërgimtarët tanë i shpalosën botës traditat tona shekullore. Është një lidhje e cila bashkon mendjet e ndritura.Krijimet e juaja fuqizojnë kulturën e atdheut” është shprehur Selmani.

Nga ana tjetër kryetari i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës, Hasan Qyqalla u shpreh i nderuar më mbështetjen dhe mikpritjen që u ka dhënë Ministria e Diasporës, duke u dhënë hapësirën adekuate letrave shqipe.

Pas këtij aktiviteti, grupi i shkrimtarëve ka zhvilluar edhe një orë letrare me karakter garues.

Ndërsa në fund të aktivitetit shkrimtarët janë nderuar me certifikata dhe mirënjohje.

Të ngjashme