Përfundon aktiviteti i Arkitekturës në UBT, certifikohen studentët pjesëmarrës

Prishtinë | 18 Kor 2017 | 13:45 | Nga

Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor përfundoi aktivitetin në Akademinë Ndërkombëtare Verore me prezantimin e punimeve më të mira të studentëve, të realizuara gjatë ditëve të akademisë.

Mbi 100 studentë pjesëmarrës në këtë akademi patën mundësinë e përzgjedhjes së modulit në të cilin ndoqën ligjëratat dhe realizuan projektet e tyre, teksa në module u përfshinë: Qyteti dhe komuniteti, Menaxhimi urban, Dizajnimi pa barriera, Arkitektura digjitale dhe Aplikimi i drurit në arkitekturë.

Me këtë rast, dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, Lulzim Beqiri tha se akademia e fakultetit të cilin ai e drejton, është përcjellë me një dinamikë të madhe të punës, gjë që sipas tij, ka rezultuar me punime profesionale dhe projekte që lehtësisht mund të përdoren për zgjidhjen e problemeve aktuale në fushën e arkitekturës.

Studentët, pasi prezantuan projektet e tyre në varësi të moduleve në të cilat i ndoqën ligjëratat, morën certifikatat për kontributin dhe aktivitetin e tyre në ANV.

Vlen të theksohet se gjatë kësaj akademie, studentët patën rastin të dëgjojnë ligjëratë nga profesoresha e Universitetit të Bolonjës, Adriana Gavlani, e cila trajtoi aspektin e qëndrueshmërisë në qytet, me fokus tek kontributi individual në ngritjen e sasisë së gjelbërimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme