Ka përfunduar procesi i autopsisë së të ndjerit Astrit Dehari, i cili vdiq dy ditë më parë në Burgun e Prizrenit.
Kryeprokurori i Prokurorisë në Prizren, Sylë Hoxha, ka thënë se informacioni sipas ekspertëve ligjorë, pasojë e vdekjes së tij ishte asfiksia ose mosfrymëmarrja dhe pengesat në frymëmarrje.
“Rezultatet përfundimtare do të dalin së shpejti, me ç’rast do të informohen të gjithë”.
“Prej ditës së parë kemi qenë mjaft transparent si prokurori e shtetit, në bashkëpunim me policinë dhe me ekspertët e mjekësisë ligjore dhe kështu do të jemi deri në fund”.
“Një mjek i kësaj fushe nga Shqipëria, një nga Anglia të angazhuar nga familja Dehari, kanë qenë vëzhgues të këtij procesi. Ne u takuam pas përfundimit të autopsisë, na falënderuan edhe ekspertët e autopsisë nga familja, sepse çdo gjë ka qenë profesionale dhe korrekte”.
Shefi i Prokurorisë në Prizren, Sylë Hoxha, ka hedhur poshtë dilemat se Astrit Dehari ka vdekur nga përdorimi i ilaçeve.
“Sipas dëshmitarëve nuk ka pasur kuti apo ndonjë ilaç në dhomën ku ka qëndruar Dehari. Dëshmitarët e rastit kanë dhënë se Dehari nuk ka përdorur ilaçe. Edhe rezultatet e obudksionit nuk kanë treguar se Dehari ka marrë ilaçe”, ka thënë Hoxha.
Në anën tjetër, avokati Tomë Gashi, ka thënë se procesi i autopsisë zgjati gati dy orë e gjysmë.
“Janë marrë të gjitha mostrat e nevojshme dhe në rast nevoje disa prej tyre do të dërgohen edhe në Angli”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se rezultatin përfundimtar do ta thotë Mjekësia Ligjore.