Pas disa orësh bastisje në banesën e të dyshuarit për spiunazh, Fatmir Sheholli, operacioni i Policisë së Kosovës në asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka përfunduar, raporton Ekonomia Online.
Automjetet policore qëndruan për disa orë në objektin banesor ku u zhvillua aksioni, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe me asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Bastisja u realizua në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj Shehollit, i cili ngarkohet me veprën penale të sipunazhit.
Në një komunikatë për media, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se Sheholli është arrestuar pas hetimeve disa mujore dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Për arrestimin e tij ka shkruar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai ka thënë se arrestimi u bë në regjionin e Prishtinës me asistencë të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë.
Sveçla ka shkruar se pret trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili sipas tij, përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

