Lëvizja Vetëvendosje ka përfunduar mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm me shpalljen e zgjedhjeve të reja partiake për Kryetar të Partisë në fund të shkurtit.
Rreth katër orë ka zgjatur mbledhja e Këshillit, e cila ka përfunduar para pak çastesh. Vetëm hapja e saj ka qenë e hapur për media. Megjithatë mbledhja ka shkuar pa tensione, tha Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Hydajet Hyseni.
“Në shkurt i skadon mandati i kryetarit të deritashëm”, ka thënë Hyseni, para mediave, pasi ka përfunduar mbledhje e Partisë.
“Është diskutuar edhe për koalicionet. Pa asnjë problem serioz ka kaluar mbledhja”, ka thënë Hyseni.
Në anën tjetër, Ismail Kurteshi, Sekretari i VV-së, ka thënë se të gjithë ishin për zgjedhje brenda partisë.
“Vetëvendosje i është kthyer normalitetit. Shpejt do ta kem kryetarin e ri. Ai që fiton më së shumti vota, ai do të jetë Kryetar i VV-së”.
Në mbledhje ka munguar deputeti Albin Kurti, i cili po mbahet në paraburgim për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Por ai i cili pritet që të kthehet në krye të Vetëvendosjes, i është drejtuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm me një letër nga burgu.