Përfundon monitorimi i Doganës nga ana e EULEX-it

Prishtinë | 11 Gus 2016 | 11:26 | Nga Fitore Zena Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ka përfunduar sot mbikëqyrja e Doganës së Kosovës nga ana Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX.

Me këtë rast, drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Lulëzim Rafuna, dhe ushtruesi i detyrës së shefit të EULEX-it, Bernd Thran, mbajtën një konferencë për medie, ku u vlerësua progresi që ka arritur Dogana gjatë këtyre viteve. Rafuna dhe Thran theksuan se bashkëpunimi Doganë-EULEX do të vazhdojë edhe në të ardhmen, kryesisht në menaxhimin e integruar të kufijve.

“Jemi këtu që ta shënojmë përfundimin e mbikëqyrjes klasike që kemi pasur prej vitit 1999 (përfshirë UNMIK-un). Por, do të vazhdojë partneritet i ngushtë me EULEX-in, i cili do ta ndihmojë Doganën”, tha drejtori Lulzim Rafuna.

“Një bashkëpunim i tillë na ka sjellë në ditën ku jemi sot. Prej vitit 1999 deri në vitin 2008 dogana ka qenë nën mbikëqyrje të UNMIK-ut ku pastaj mbikëqyrja e doganës u bart në kompetenca të Qeverisë së Republikës së Kosovës por në mandatin e EULEX-it, për monitorim dhe këshillim”, ka shpjeguar ai.

Dogana

Kurse, Bernd Thran tha se EULEX-i, edhe pse nuk ka më mandat në Doganë, do ta ndihmojë në këshillime strategjike këtë institucion.

Sipas tij, Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me EULEX-in, ka treguar një zhvillim të jashtëzakonshëm gjatë këtyre gjashtë viteve. Tregues i këtij progresi, sipas tij, është shtimi çdo vit i të hyrave të doganës.

“Dogana ka treguar një zhvillim të jashtëzakonshëm gjatë këtyre gjashtë viteve të kaluara, kur EULEX ka dhënë këshilla monitorimi dhe strategjie për Doganën. Gjatë kësaj kohe të hyrat e Doganës së Kosovës janë shtuar çdo vit. Në bashkëpunim më EULEX-in, Dogana këtë vit pritet të arkëtojë mbi 1 miliard euro që hyjnë në buxhetin e Kosovës”, tha Thran.

Drejtori i Doganës ka falënderuar gjithashtu popullin amerikan, me taksat e të cilit, janë bërë shumë investime në Doganë. Ai përmendi veçanërisht ndihmën në pajisje dhe ekspertizë për parandalimin e kontrabandës.

Në këtë ceremoni merrte pjesë dhe James Hope, shef i USAID-it, agjenci kjo që e ka ndihmuar me rreth 5 milionë euro zhvillimin e Doganës, në kuadër të Programi për Kontrollin e Eksporteve dhe Sigurinë e Kufirit (EXBS), si dhe ka ofruar mbi 150 trajnime për doganierët kosovarë.

James Hope tha se ShBA-ja është krenare për përkrahjen dhe partneritetin me Doganën, e cila është kontribuuesja kryesore në buxhetin e Kosovës.

“ShBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë Doganën”, u zotua ai.

Të ngjashme