Përfundon pa marrëveshje tryeza e LDK-së, qëndrimet e partive nuk ndryshojnë

Prishtinë | 25 Pri 2018 | 15:41 | Nga Donika Osmani

Tryeza e thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka përfunduar pa një marrëveshje mes partive politike.

Pas një takimi dy orë e gjysmë të përfaqësueseve të partive politike për të gjetur një zgjidhje për temat të rëndësisë nacionale, Agim Veliu, kryesuesi i tryezës, tha se ajo nuk është thirrur për caktimin e datës së zgjedhjeve, por për të gjetur zgjidhje për tema madhore, raporton Ekonomia Online.

“Në tryezë diskutuam probleme aktuale që na preokupojnë bashkërisht është një fat i mirë që tryezës ju përgjigjën të gjitha subjektet politike, secila ka dhënë qëndrimin e vet për problemet aktuale”.

“Jemi marrë vesh që tryezat me fillu me një rotacion nga subjektet që janë të interesuara me organizuar tryeza të tilla. Secili subjekt ka gatishmërinë të vazhdojnë, ndoshta javën e ardhshme do të jetë tryeza e radhës”.

“Ne në këtë takim nuk kemi ftuar për të diskutuar për zgjedhjet po me diskutuar për me bë zgjidhje për problemet me interes nacional”.

“Qëndrimet e LDK-së janë të njohura, vendi është në një krizë institucionale, kjo Qeveri nuk ka legjitimitet sepse ka 52 vota jemi të interesuar që çështjet madhore t’i diskutojmë”.

Memli Krasniqi, nga PDK-ja, tha se vendin në zgjedhje mund të shkojë vetëm me pëlqimin e partisë së tij.

Ai foli edhe për Platformën e shefit të tij për konsensus mes partive politike për tema të mëdha, raporton EO.

“U morëm vesh që tryeza të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen, edhe propozimet e PDK-së përmes ftesës së Veselit për një platformë gjithëpërfshirëse dhe ftesën e LDK-së e kemi trajtuar.

“Duhet të ketë konsensus të të gjitha partive politike, për temat si themelimi i ushtrisë, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, themelimi i asociacionit dhe procesi i reformës së përgjithshme në kuadër të integrimit evropian dhe reformës zgjedhore”.

“Nuk mund të qojë LDK-ja vendin në zgjedhje po PDK-ja, kemi thënë kështu për me tregu që nuk është rendi i zgjedhjeve, ky mandat duhet të shkojë deri në fund, vendit i duhet stabiliteti qeverisës, nuk kemi nevojë dhe hapësirë për zgjedhje të parakohshme”.

“Nëse partitë që kanë interes të shkojnë në zgjedhje nëse arrijnë shumicën ne jemi të gatshëm, partitë serioze duhet me qenë të gatshme për zgjedhje. Nuk jemi për zgjedhje, ka nevojë për reformë zgjedhore e pastaj reforma mund të marr kohë, këto tema marrin kohë”.

Dardan Sejdiu, nga Grupi i Deputetëve të Pavarur, tha se këto takime duhet që të vazhdojnë, ndonëse nuk pati përafrime qëndrimesh, por vetëm paraqitje qëndrimesh.

Ai tha se vendi gjendet në një situatë paradoksale kur pozita nuk i ka numrat e nevojshëm, por as opozita për ta rrëzuar atë.

“Në takim u diskutua edhe tema e zgjedhjeve, unë e shpërfaqa mendimin e GDP-së, secili tha qëndrimin jo dakordimin, jemi në situatë paradoksale që pozita nuk i ka numrat me vazhduar, po as opozita  nuk i ka numrat për ta rrëzuar Qeverinë”.

Blerim Kuçi, nga AAK-ja, tha se radhën për të thirrur një takim të tillë tash e ka PDK-ja, krejt kjo me qëllim të arritjes së marrëveshjes mes partive për tema të mëdha.

“Të gjitha temat tjera janë qëndrime partiake e jo të kësaj tryeze, qeveria ka apo nuk ka numrat ajo po vazhdon. Radhën për këtë tryezë tashmë e ka PDK-ja, partitë politike të pakicës dhe shumicës do takohemi në këtë formë. Ne jemi marrë vesh me ju thanë juve se jemi mbledh për të krijuar mundësi të vazhdimësisë me u marr vesh për tema nacionale”.

Bilall Sherifi, nga Nisma Socialdemokrate, tha se partitë e mëdha nuk e kanë në dorë rrëzimin e Qeverisë, por sipas tij, kushdo që beson se i ka numrat mund të rrëzojë ekzekutivin.

Edhe pse tha se kësaj qeverie duhet që t’i jepet hapësirë për përfundimin e punës që ka filluar, raporton EO.

“Jemi marrë vesh që të vazhdojmë takimet dhe formatin ta caktojë ai që ka radhën, jemi marrë vesh të respektojnë pikëpamjet e secilit për çështje të caktuara”.

“Nisma mendon se ka dy mënyra të rrëzimit të Qeverisë; marrëveshje politike mes partive politike ku shpërndahet kuvendi me marrëveshje. Kushdo që beson se është i fuqishëm, një deputet dërgon vendin në zgjedhje, nuk kanë fuqi të madhe partitë e mëdha, nuk kanë në dorë rrëzimin e Qeverisë”.

“… konsiderojmë që Qeveria sa ka filluar punën, duhet t’i japim hapësirë të vazhdojë punën. Nuk kemi nevojë debatin publik që i ka votat apo jo, nëse janë 61 vota atëherë rrëzohet”.

Ilir Deda nga Alternativa, ka treguar për temat që u diskutuan gjatë këtij takimi. Ai tha se për një çështje u morën vesh që këto takime të mbahen me rotacion.

“Kanë qenë tri tema, a mund të ketë konsensus nacional për tema shtetërore, a mund të ndahen këto tema nga politika ditore, dhe e fundit pikëpamjet e partive a shkojnë në zgjedhje dhe si shkojnë me këtë ligj apo jo”.

“U morëm vesh që propozimi i LDK-së që partitë me rotacion t’i organizojnë këto takime, dhe të fillojmë shpejtë a mund të kemi konsensus për tema të mëdha. Edhe nëse ka zgjedhje a do ta ruajmë konsensusin e ndërtuar tash edhe nëse shkojmë në zgjedhje”.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Gëzim Kelmendi, nga partia Fjala, ndonëse partia e tij nuk është e përfaqësuar në Kuvend.

Kelmendi tha se në takim askush nuk përmendi zgjedhjet e parakohshme, sipas tij, opozita i ka numrat për ta rrëzuar Qeverinë,  por po i frikësohet zgjedhjeve.

Sipas tij, ideja për të vazhduar me këto tryeza është mashtrim i qytetarëve, sepse po përfitojnë partitë politike.

“Liderët nuk ishin të pranishëm, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse koalicioni në fillim ka qenë i varur nga Lista Serbe dhe e dyta që nuk ka shumicën e votave. Ideja për të vazhduar me këto tryeza është mashtrim i qytetarëve, sepse partitë kështu do vazhdojnë të zgjasin qëndrimin e tyre në pushtet. Me këto tryeza po përfitojnë partitë politike”.

“I vetmi konsensus për tema madhore është formimi i ushtrisë dhe e dimë që partitë politike po e bëjnë këtë për të qëndruar më gjatë në Qeveri. Askush nuk përmendi zgjedhjet e parakohshme, opozita i ka numrat për rrëzimin e Qeverisë, por po i frikësohet zgjedhjeve”.

LEXO EDHE:

http://cs13.temp.domains/~ekonomia/politike/te-gjitha-partite-politike-marrin-pjese-ne-takimin-e-thirrur-nga-ldk-ja/

Të ngjashme