Ka përfunduar projekti dy vjeçar “Sports 4 All”, i cili kishte për qëllim promovimin e sportit gjithëpërfshirës në Kosovë.
Me këtë rast, u ndanë çmimet për titullin “Sporti për të gjithë”, për kategori të ndryshme, duke përfshirë persona me aftësi të kufizuara, si dhe persona nga komunitetet pakicë në Kosovë.
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, u shpreh se do të vazhdojë edhe më tutje të përkrahë këtë aktivitet, të cilin e cilësoi të rëndësishëm për zhvillimin sportiv të kategorive të margjinalizuara.
“Komiteti Olimpik organizon për çdo vit ditën olimpike dhe në këtë manifestim marrin pjesë të gjitha strukturat e shoqërisë. Kohëve të fundit jemi fokusuar në kategoritë e reja në fëmijët që kanë lindur në vitin 2008 dhe vitin e kaluar kanë marrë pjesë 2000 fëmijë të cilët kanë vrapuar për ditën olimpike”, u shpreh Hasani.
Ana Larderet, shefe e Misionit të “Play International”, tha se ky projekt dy vjeçar kishte për synim që përmes sportit të zhvillojë integrimin e vajzave dhe grave, komunitetit pakicë dhe personave me aftësi të kufizuar.
“Në periudhën ndërmjet 2015 dhe 2016 gjithsej janë nën-grantuar 50 mijë euro për organizatat e shoqërisë civil. 17 OJQ kanë pranuar mbështetjen financiare dhe teknike të “Play International” për implementim të projekteve të sportit gjithëpërfshirës”, tha Ana Lardere.
Në fund u bë ceremonia e ndarjes së çmimeve për fituesit, ku 3 persona u shpërblyen me shumën prej 300 eurosh dhe 3 persona me nga 600 euro.