Ka përfunduar protesta e organizuar nga disa studentë, nga Lëvizja “Studim, Kritikë, Veprim” të cilët po realizonin një aktivitet pran Kishës Ortodokse Serbe, në Kampusin e Universitetit, përmes së cilës po kundërshtojnë funksionalizimin e saj.
Protesta është përmbyllur pasi policia ka lejuar studentët që të vendosin pankartë në derën e kishës serbe në oborrin e UP-së.
Siç raporton gazetari i Ekonomia Online nga vendi i ngjarjes në protestë janë përleshur disa studentë me policë, ku një polic është lënduar si dhe disa studentë janë arrestuar.
Policia ka arrestuar katër studentë, dhe më pas ka liruar ata.
Paraprakisht lideri i organizatës studentore “Studim, Kritikë dhe Veprim”, Flamur Pireva ka mbajtur një fjalim ku ka theksuar se nuk do të lejohet kthimi i hijes së regjimit të Sllobodan Millosheviqit përmes asaj kishe.
“Ne i bëjmë thirrje rektorit dhe organeve të UP-së që menjëherë të reagojnë ndaj tendencave për ringjalljen e këtij objekti të ndërtuar gjatë kohës së sundimit fashist të Serbisë”.
“Ne nuk do të lejojmë që përmes kishës ortodokse serbe të na kthehet hija e regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë”, tha ai.
Pas shumë orvatjeve, studentët ia arritën të vendosin një pankartë në derën e hyrjes së Kishës Ortodokse Serbe me mbishkrimin “Ky objekt që ka okupuar hapësirën universitare është ndërtuar në kohën e regjimit të Millosheviqit”.
Por, më pas policia e ka hequr pankartën e vendosur në Kishë.
Njëri nga studentët ka theksuar se Policia po arreston studentët duke mos i shërbyer shtetit të Kosovës, por Serbisë.
Policia kë bërë kordonin para Kishës ortodokse Serbe duke mos lejuar studentët që t’i afrohen objektit të Kishës.